Shqipëria Postuar më 20 Janar 2026, 10:06

Cilët janë pritshmëritë e eksportuesve për në BE? - Këshilli i Investimeve: 7 në 10 kompani e vlerësojnë integrimin pozitiv

Nga Diamila Leka

Cilët janë pritshmëritë e eksportuesve për në BE?

Biznesi shqiptar ka pritshmëri pozitive nga Agjenda Kombëtare e Reformave dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, por niveli i informimit mbetet i ulët. Këto janë gjetjet kryesore të anketës së Këshillit të Investimeve, që analizon perceptimin e kompanive mbi reformat dhe integrimin europian.

Sipas anketës, vetëm 33 për qind e kompanive të intervistuara deklarojnë se kanë informacion të mjaftueshëm, shumë ose disi, mbi Agjendën Kombëtare të Reformave. Bizneset që janë të informuara shprehen se zbatimi i saj në tre vitet e ardhshme pritet të sjellë konsultim më gjithëpërfshirës dhe përfitime direkte për sektorin privat. Megjithatë, adoptimi i ligjeve pa konsultim mbetet sfida kryesore e perceptuar në zbatimin e reformave.

Në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Europian, rreth 7 në 10 kompani e vlerësojnë këtë proces pozitiv ose shumë pozitiv. Më optimistë janë eksportuesit, bizneset me xhiro mbi 10 milionë euro, si edhe sektorët e ndërtimit, bujqësisë dhe industrisë përpunuese.

Bizneset presin që anëtarësimi të sjellë përmirësim të standardeve dhe cilësisë, rritje të konkurrencës së ndershme dhe qasje më të lehtë në tregjet e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, burokracia dhe procedurat administrative, taksat dhe legjislacioni fiskal, si edhe standardet e prodhimit, perceptohen si fushat ku përshtatja do të jetë më e vështirë.

Sa i përket eksporteve, vetëm 3 në 10 biznese presin rritje të mundësive eksportuese nga anëtarësimi në BE, me industrinë, tregtinë dhe bujqësinë që shfaqen më optimiste.

Ndërkohë, afro 50 për qind e bizneseve deklarojnë se kanë nevojë për më shumë informacion mbi integrimin dhe ndikimin e tij në aktivitetin e tyre. Burimet kryesore të informimit mbeten interneti dhe mediat tradicionale, ndërsa pritet një rol më aktiv nga institucionet shtetërore dhe nga projektet e Bashkimit Europian.

Anketa tregon se për gjysmën e bizneseve, anëtarësimi në BE shihet si një mundësi reale për rritje dhe zgjerim të aktivitetit, veçanërisht në industrinë përpunuese, bujqësi, pylltari, peshkim, si dhe në sektorin e transportit dhe magazinimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat