Shqipëria Postuar më 23 Dhjetor 2025, 11:08

Cilësia e furnizimit me energji - Shoqata e Furnizuesve, propozime për rregulloren e nxjerrë në konsultim

Nga Ola Mitre

Cilësia e furnizimit me energji - Shoqata e Furnizuesve, propozime

Shoqata Shqiptare e Furnizuesve të Energjisë Elektrike (AAES) ka paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë një paketë propozimesh për ndryshime në rregulloren që përcakton cilësinë e furnizimit dhe performancën e sigurisë së rrjetit në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike. Në dokumentin zyrtar dërguar ERE-s, shoqata thekson se drafti i nxjerrë për konsultim publik ka boshllëqe që ndikojnë drejtpërdrejt furnizuesit, klientët fundorë dhe palët e treta kur ndodhin devijime të rrjetit.

Sipas shoqatës, mosrespektimi i standardeve të cilësisë së shërbimit të furnizimit ose performancës së sigurisë së rrjetit mund të shkaktojë dëm ekonomik për furnizuesit, duke përfshirë pamundësinë për të blerë apo shitur energji elektrike, si dhe disbalanca. Por, draft-rregullorja nuk përcakton qartë përgjegjësitë për këto raste.

Po ashtu, shoqata nënvizon se aktualisht nuk ka një mekanizëm të qartë të përcaktuar për kompensimin e klientëve fundorë, që mund të pësojnë dëme të shumëllojshme, si: fitim i munguar, dëmtime materiale, por edhe dëmtime në njerëz. Po ashtu, theksohet se rregullorja nuk adreson raste ku dëmtohen palë të treta, që mund të jenë persona ose subjekte që nuk kanë marrëdhënie kontraktore me furnizuesin apo operatorin, por që mund të pësojnë humbje materiale ose dëme në shëndet si pasojë e një ngjarjeje në rrjet.

AAES ka paraqitur propozime për adresimin e këtyre boshllëqeve, duke kërkuar ndër të tjera që në tekstin e rregullores të saktësohet qartë se çdo kompensim duhet të kryhet “në të njëjtën vlerë” me dëmin e shkaktuar.

Këto propozime vijnë pasi pak javë më parë Enti Rregullator i Energjisë nisi procedurat për ndryshimin e rregullores që përcakton standardet e cilësisë së furnizimit dhe sigurisë në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike.

 

Shqipëria 23 Dhjetor Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan ka vijuar edhe sot rënien duke humbur sërish pikë sikurse edhe një ditë më parë teksa është blerë këtë të martë me 81.4 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat