Shqipëria Postuar më 12 Shtator 2025, 11:14

Cilat janë vendimet e para të qeverisë “Rama 4”? - Nga mbrojtja e pronës, tek pensionet dhe bonusi i bebeve

Nga Elisabeta Dosku

Cilat janë vendimet e para të qeverisë “Rama 4”? -

Qeveria e re “Rama 4” pritet të çojë përpara reforma të rëndësishme që prekin të gjithë sektorët e ekonomisë dhe mirëqenien sociale.

Por cilat janë vendimet e para që pritet të miratojë Këshilli i Ministrave?

Një paketë e re ndërhyrjesh ligjore për mbrojtjen e territorit do të jenë në tryezën e qeverisë së re si një ndër vendimet më të para. Paketa përfshin një tërësi masash që krijojnë instrumente të reja për mbrojtjen e territorit duke filluar me ndalimin e çdo tentative për të ndërtuar pa leje, deri tek mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike.  Po ashtu parashikohen masa për objekte që shiten në gropë, duke u prezantuar qytetarëve një leje ndërtimi, ndërkohë që projekti përfundimtar është i deformuar.

Paketa e paqes për biznesin që synon ti japë frymëmarrje sipërmarrjeve debitorë, pritet të jetë një tjetër vendim.  Paqja fiskale e prezantuar që përpara zgjedhjeve ka 3 komponentë.  Tatimi i dakordësuar mbi fitimin.  Komponenti kryesor i kësaj pakete që konsiderohet si një paqeje të negociuar fiskale për një periudhë 3-vjeçare  me biznesin, parashikon që 15 % e tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%.  Rishikimi i pasqyrave financiare në 5 vitet e fundit dhe pagesën e një tatimi prej 5% për çdo diferencë që do të rishikohet. Falja e të gjitha detyrimeve, interesave dhe kamat vonesat të biznesev, që janë më të vjetra se 10 vjet. Në total janë 1.6 miliardë euro detyrime të krijuara ndër vite nga bizneset.

Ndër vendimet e para të qeverisë së re është edhe rritja e pagës minimale në 500 euro e cila do të shtrijë efektet nga 1 janari 2026. Aktualisht paga minimale në Shqipëri është në nivelin 408 euro, më e ulëta në Europë dhe 34% më pak se mesatarja e rajonit.

Reforma e re e pensioneve po ashtu pritet të jetë ndër dokumentet e para të miratuara, duke i hapur rrugë rishkimit të saj dhe ofrimit të përfitimeve më të drejta për qytetarët. Ky dokument po përgatitet në bashkëpunim me Bankën Botërore.  Synimi është që në fund të mandatit qeverisës pensioni mesatar në Shqipëri të jetë 400 euro dhe pensioni minimal 200 euro.

Tjetër vendim lidhet me nxitjen e lindshmërisë, 6 vite pas aplikimit të bonusit të bebes i cili aktualisht është në nivelin 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e në vijim.

Mbështetja financiare nga 1 janari 2026 nuk do të jetë vetëm një pagesë, por kuotë mujore për fëmijë nga mosha 0 deri në 5 vjeç, shifra e së cilës rritet nga fëmija i parë te treti e në vijim. Për fëmijën e parë pagesa  parashikohet të të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit. Për fëmijën e dytë skema e re parashikon pagesë 7 mijë lekë në muaj deri në moshën 5 vjeçare ose 84 mijë lekë në vit. Ndërsa për fëmijën e tretë pagesa mujore do të jetë 10 mijë lekë në muaj, ose 120 mijë lekë në vit për 5 vitet e para të bebes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat