Shqipëria Postuar më 13 Mars 2025, 12:29

Certifikimi B-Corp për kompanitë në Shqipëri - Ambasadori italian: Ka avantazhe të shumta. Shkodra: Nisim program mbështetjeje

Nga Ledina Elezi

Certifikimi B-Corp për kompanitë në Shqipëri - Ambasadori

Përfitimet nga certifikimi B-Corp i sipërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun shqiptar ishte në fokus të një takimi të zhvilluar nga Ambasada Italiane në Tiranë, me qëllim nxitjen e bizneseve për të plotësuar kriteret në këtë drejtim.

B-Corp ose Benefit Corporation është një certifikim që u jepet ndërmarrjeve të cilat u përmbahen kritereve të qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore.

“Unë marr përgjegjësinë për të nënvizuar rëndësinë e temës, sepse tema për të cilën po flasim sot ka të bëjë në radhë të parë me njerëzit, domethënë sesi kompania e vendos personin në qendër dhe sesi kompania, duke e vendosur personin në qendër, zhvillon një linjë sipërmarrjeje dhe rrjedhimisht të menaxhimit që është e ndryshme nga ajo që nuk ka personin në qendër. Pra, pika e parë është sesi korporatat gjenerojnë një formë avantazhi dhe mundësie”, - tha ambasadori italian në vendin tonë, Marco Alberti.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ekonomik Kombëtar Arben Shkodra, i cili paralajmëroi nisjen e një programi për mbështetjen e kompanive shqiptare që duan të marrin këtë certifikim, por edhe certifikime të tjera europiane.

“Për ta arritur këtë duhet të fillojmë absolutisht të informojmë kompanitë, të shpërndajmë, të krijojmë konceptin e tyre për këtë mundësi. Mundësi, por edhe rreziqet që ato paraqesin. Dhe sigurisht që duhet të investojmë në këto kompani. Prandaj si Këshill Ekonomik Kombëtar po mendojmë që ky program kombëtar të mbështesë kompanitë. Si ta bëjmë këtë? Ne e bëjmë përmes partnerëve ndërkombëtarë, e bëjmë përmes ekspertëve. Një nga këto është sot për të shpjeguar edhe mundësinë e mbështetjes së kompanive, por duhet ta bëjmë edhe duke ndryshuar mentalitetin tonë, mënyrën sesi bëjmë biznes”, - tha Shkodra.

Përfaqësuesit e shoqërisë italiane PROMOS SRL, e ngarkuar me promovimin e standarteve B-Corp vunë në pah mundësitë në Shqipëri, si dhe u ndalën gjerësisht te përfitimet ekonomike që vijnë për kompanitë, pasi arrijnë këtë standard.

Kriteret që vlerësohen u referohen pesë zërave: punonjës, komunitet, klientë, ndikim mjedisor, model qeverisës. Ndërkohë që, hulumtime të ndryshme ndërkombëtare dëshmojnë se përftimi i certifikimit B-Corp sjell rritjen e të ardhurave, çka përbën një mundësi për rritjen dhe zhvillimin e sipërmarrjeve në vend.

Një certifikim i tillë është mjaft i vlerësuar nga tregu evropian dhe institucionet bankare ndërkombëtare, arsye këto që e bëjnë shtrirjen e tij faktor thelbësor si për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri ashtu edhe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe lëhtësimin e kreditimit.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat