Shqipëria Postuar më 4 Shkurt 2026, 12:13

Centralet diellore, interes nga investitorët - Aplikimi i ri në MIE, projekt me fuqi 70 MW në Savër të Lushnjes

Nga Ola Mitre

Centralet diellore, interes nga investitorët - Aplikimi i ri në MIE,

Energjia diellore mbetet në fokus të investitorëve privatë, me interes për të ndërtuar centrale të mëdhenj fotovoltaikë. Trendi i shënuar vitin e kaluar me një numër të lartë aplikimesh, duket se po ndiqet edhe këtë vit, pasi pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbërritur një tjetër shprehje interesi.

Kërkesa është bërë nga shoqëria “3X ENERGY” sh.p.k., që ka paraqitur aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 70 MW, me vendodhje në fshatin Savër të Lushnjes. Projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse të qeverisë. Kjo do të thotë se në rast të finalizimit nuk përfiton lehtësira shtetërore për dokumentacion apo garanci për shitjen e energjisë së prodhuar.

Ndërkaq, viti 2026 ka nisur edhe me miratime të shumta të projekteve elektroenergjetike nga ana e qeverisë. Një prej tyre parashikon ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike nga era në Njësinë Administrative Mollaj, në Bashkinë Korçë, me kapacitet 55 MW, ndërsa vendimi i dytë miratoi ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 10 MW në fshatin Vlashaj, Bashkia Bulqizë. Gjithashtu, vetëm një javë më parë u miratua edhe ndërtimi i një centrali fotovoltaik në fshatin Rrakull, në Bashkinë Kavajë, më kapacitet të parashikuar prej 95 MW.

Shoqëritë ndërtuese do të shkëmbejnë falas 2% të energjisë së prodhuar vjetore me shtetin, ose vlerën monetare të saj, si dhe kanë detyrimin të respektojnë të gjitha lejet dhe procedurat mjedisore.

Këto projekte i shtohen listës së impianteve energjetike të miratuara nga qeveria gjatë vitit të kaluar.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat