Shqipëria Postuar më 4 Tetor 2025, 13:28

Centrale diellore 105.6 MW në Memaliaj, Selenicë e Malësi/ Aplikimet e reja pranë MIE, projektet nuk përfitojnë nga masat mbështetëse

Nga Ola Mitre

Centrale diellore 105.6 MW në Memaliaj, Selenicë e Malësi/

 

Interesi i sektorit privat për ndërtimin e centraleve fotovoltaike mbetet në rritje, teksa 3 aplikime të reja kanë mbërritur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për projekte me kapacitet total 105.6 MW.

Kërkesa e parë është bërë nga Shoqëria “GREEN VOLT” për një impiant me kapacitet të instaluar 70 MW, me vendndodhje në Bashkinë Memaliaj, ndërsa aplikimi i dytë nga “ARMEN SOLAR” për një central 30 MW, të pozicionuar në Armen të Bashkisë Selenicë. Projekti i tretë është më i vogël dhe përfshin një impiant 5.6 MW, që synohet të ndërtohet nga GREEN ENERGY GROUP në Pjetroshan, të Bashkisë Malësi e Madhe. Në rast të finalizimit të procedurave, këto projekte nuk do të jenë përfitues të masave mbështetëse të qeverisë, që përfshijnë lehtësim në sigurimin e dokumentacionit apo blerje të garantuar të energjisë së prodhuar.

Interesi për investime në energji diellore ka disa vite që ka ardhur në rritje nga ana e investitorëve privatë, ndërkohë që një pjesë e kërkesave janë pranuar, ndërsa të tjera jo. Aktualisht, energjia diellore nga impiantet e mëdhenj është pak e shfrytëzuar në vendin tonë, por pesha e saj pësoi rritje në 3-mujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për periudhën prill – qershor prodhimi i centraleve fotovoltaike përbënte 16.4% të energjisë totale të burimeve vendase, nga 6.8% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit që kaluar. Ndërkohë, për vitin 2024 rreth 6.25% e energjisë totale të vendit u prodhua nga centralet diellore, ku peshën më të madhe e mbante Centrali Fotovoltaik i Karavastasë, i cili gjeneroi 53% të energjisë diellore të prodhuar në shkallë kombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat