Shqipëria Postuar më 3 Qershor 2025, 12:18

Central diellor 38 MW në Kolonjë - Aplikimi i ri pranë MIE, nuk përfiton nga masat mbështetëse

Nga Ola Mitre

Central diellor 38 MW në Kolonjë - Aplikimi i ri pranë MIE, nuk

Në vijim të interesit të shtuar të sektorit privat, edhe në fillim të vitit 2025 janë regjistruar disa aplikime të reja për ndërtimin e centraleve fotovoltaike. Shoqëria “GRAMOZI GREEN ENERGY” ka aplikuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 38 MW në Bashkinë Kolonjë. Impianti nuk do të jetë objekt koncesioni dhe nuk do të përfitojë nga masat mbështetëse shtetërore.

Në fillim të vitit ishte kompania “X ONE” që paraqiti aplikim për ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet 54 MW në zonën e Tërpanit, Bashkia Poliçan, gjithashtu pa pretenduar për përfitime nga skemat mbështetëse të qeverisë.

Disa muja më pas u paraqitën dy aplikime të tjera për ndërtimin e centraleve fotovoltaike me kapacitet total prej 148.5 MW. Njëri prej tyre përfshin ndërtimin e një centrali 128 MW në Sheq Marinas, Fier, ndërsa projekti tjetër parashikon ndërtimin e një impianti me kapacitet 20.5 MW në Bashkinë Cërrik. Asnjë nga këto projekte nuk përfiton lehtësira shtetërore për dokumentacion apo garanci për shitjen e energjisë së prodhuar.

Tendenca e rritjes së interesit për impiante diellore ishte e dukshme edhe gjatë vitit 2024, kur vetëm në muajin dhjetor u dorëzuan 7 aplikime për projekte me kapacitet total prej 416.5 MW, të shpërndara në disa bashki të vendit.

Aktualisht, energjia diellore është ende pak e shfrytëzuar në Shqipëri nga impiantet e mëdhenj, por pavarësisht kësaj, pesha e saj në prodhimin total të energjisë është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, rreth 6.25% e energjisë totale të vendit u prodhua nga centralet diellore, ku peshën më të madhe e mban Centrali Fotovoltaik i Karavastasë, i cili gjeneroi 53% të energjisë diellore të prodhuar në shkallë kombëtare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat