Shqipëria Postuar më 28 Janar 2026, 17:37

Cental fotovoltaik në Kavajë, Qeveria miraton projektin me fuqi të instaluar 95 megavat

Nga SCAN TV

Cental fotovoltaik në Kavajë, Qeveria miraton projektin me fuqi

Në mbledhjen e saj të fundit qeveria ka dhënë miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në  Synej të Bashkisë Kavajë. Projekti do të ndërtohet nga shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k. dhe do të ketë një kapacitet të instaluar prej 95 megavat. Sipas VKM koha për ndërtimin e projektit është tridhjetë e gjashtë muaj. Detyrimi për prodhuesin është që të japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit.

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 3204, FSHATI RRAKULL, NJËSIA ADMINISTRATIVE SYNEJ, BASHKIA KAVAJË, QARKU TIRANË, NGA SHOQËRIA “SELECT ENERGY”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të  ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonën kadastrale 3204, fshati Rrakull, njësia administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë, nga shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k.;

b) NIPT/NUIS: M22415014G;

c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;

ç)  Kapaciteti i instaluar: 95 MË;

d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në zonën kadastrale 3204, fshati Rrakull, njësia administrative Synej, Bashkia Kavajë, Qarku Tiranë;

e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;

g) Shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;

ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;

iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “SELECT ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;

iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;

v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “SELECT ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat