Shqipëria Postuar më 3 Qershor 2026, 11:29

Celularët, shqiptarët preferojnë numrat me kontratë - AKEP: Shtohet pajtimtarët që kërkojnë paspagim. Edhe interneti në shtëpi, rekord

Nga Ledina Elezi

Celularët, shqiptarët preferojnë numrat me kontratë -  AKEP:

Shqiptarët po zgjedhin gjithnjë e më tepër numrat celularë me kontratë me afat nga 1 vit deri në 2 vite, ndërsa paketat me parapagim po zgjidhen gjithnjë e më pak. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), pavarësisht se 52% e abonentëve paguajnë për paketa telefonike afatshkurtra dhe 48% për afatgjata, ky hendek është ngushtuar në krahasim me tremujorin e parë 2025, ku abonentët me kontratë ishin vetëm 44.5% dhe ata pa kontratë 55.5%.

Pavarësisht se në shumicën e familjeve shqiptare nuk mungon lidhja e internetit në shtëpi, ndërsa thuajse edhe çdo vend pune e ka një të tillë, kjo nuk e ka zëvendësuar internetin, minutat dhe SMS-të në telefon, pasi përdoren në ambientet e jashtme, aty ku alternativa të tjera si WIFI publik janë gati inekzistente.

Për sa i përket lidhjeve të internetit në shtëpi apo në një biznes, shifrat konfirmojnë një shtim me 6.5% në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Rreth 410 mijë përdorues ose e thënë ndryshe 58% e pajtimtarëve me akses broadband në rrjete fikse kanë instaluar vetëm internet në shtëpi.

Nga ana tjetër, paketat e integruara janë më pak të preferuara. Rreth 42% ose 295 mijë pajtimtarë përdorin paketa të integruara (Internet/TV/Telefoni). Të paguash për internetin dhe televizorin përmes një paketë të vetme shihet si një alternativë nga një numër më i vogël personash. Përdorimi i paketave të integruara që përmbajnë telefoni, paketat trefishe “Internet+TV+Telefoni” dhe paketat “Intenet+Telefoni” , rezultoi me rënie përkatësisht me 6.4% dhe 5.2% në krahasim me tremujorin e parë 2025.

Ndërkohë, edhe telefonia fikse vijon me trendin e saj rënës. Vetëm një numër i kufizuar biznesesh vijon të përdorë telefoninë fikse në Shqipëri.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat