Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2025, 11:16

By-Pass për devijimin e trafikut në Sarandë/ Nis faza e parë për hyrje-daljen e re nga qyteti

Nga Ernilda Luzi

By-Pass për devijimin e trafikut në Sarandë/ Nis faza e parë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur hapjen e tenderit për ndërtimin e By-Pass Sarandë, Faza I. Fondi limit i këtij projekti është 1 miliardë e 999 milionë lekë pa TVSH, ose 20.5 milionë euro.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, Bashkia Sarandë në bashkëpunim me ARRSH kanë propozuar tenderimin e projektit për të realizuar një hyrje- dalje të re në qytet, që do t’i japë mundësi trafikut të kanalizohet në dy drejtime, duke lehtësuar hyrjen ekzistuese. Gjithashtu, do të shërbejë dhe si By-Pass i qytetit, për të devijuar trafikun bregdetar në perëndim të qytetit, duke mundësuar kështu lëvizjen e automjeteve larg nga zona e qendrës ku aktualisht ka trafik.

Për më tepër, një frekuentim kaq i lartë turistik në sezonin veror sjell një situatë tejet të rënduar të trafikut në qytet dhe sidomos në hyrje-daljet e tij. Sistemi rrugor ekzistues si brenda qytetit ashtu dhe përreth, është i pamjaftueshëm për akomodim të një fluksi të tillë.

Rrjeti rrugor ekzistues është i tillë ku qyteti i Sarandës aksesohet vetëm nëpërmjet një pike hyrje-dalje, Qafë Gjashta. Frekuentimi i lartë turistik në sezonin veror sjell si pasojë një situatë tejet të rënduar të trafikut në qytet dhe në hyrje-daljet e tij.

Referuar dokumentit, qëllimi i këtij projekti do të jetë projektimi i detajuar i punimeve infrastrukturore për trajtimin e rrjetit rrugor, ndërtimi i parkimeve anësore të rrugës dhe trotuarëve, projektimi i sistemit të kanalizimeve, ujësjellës, ndriçim dhe plani i shpronësimeve. Rruga do të shtrihet përgjithësisht në zonë të pabanuar edhe pse sipas planeve urbanistike të Bashkisë Sarandë, zona ka perspektivë për zhvillim.

Gjendja jo e përshtatshme e infrastruktures rrugore përfaqëson pengesën më të madhe për transportin e njerëzve dhe të mallrave për investimet e huaja, për zhvillimin e turizmit, për rritjen ekonomike, aksesin ndaj shërbimeve sociale, mundësive për punësim dhe në mënyre të veçantë për banorët e zonave përkatëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat