Shqipëria Postuar më 18 Korrik 2025, 09:54

Buxheti shlyen 42 milionë euro për koncesionet - 5-mujori/ 11 kontrata aktive, likuidohet 30% e totalit të detyrimeve vjetore 

Nga Elisabeta Dosku

Buxheti shlyen 42 milionë euro për koncesionet - 5-mujori/ 11 kontrata

Buxheti i shetit ka shlyer afro 42 milionë euro pagesa për kontratat koncesionare aktive. Referuar raportit të mesvitit për zbatimin e buxhetit, në fund të 5-mujorit 2025 rezultoi se, nga 11 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore: 8 kontrata koncesionare/PPP kanë pagesa faktike buxhetore dhe për 3 kontrata nuk janë kryer pagesa.

Për 5-mujorin, pagesat faktike rezultojnë në masën rreth 42 milionë euro, ose 30.3% të pagesave të planifikuara vjetore 2025, sipas planit me ndryshime. Krahasuar me të njëjtën periudhë 2024, ato rezultojnë rreth 6 milionë euro më të ulëta, ose 1.4% më pak që reflekton ecurinë e ngjashme në zbatimin e planeve vjetore të kontratave.

Pagesat faktike për muajin Maj ishin rreth 7.5 milionë euro, ose rreth 5.4% e pagesave të planifikuara vjetore 2025, sipas planit me ndryshime. Pagesa më e lartë e realizuar në muajin Maj është pagesa prej rreth 2.4 milionë euro për kontratën “Ofrimi i shërbimeve laboratorike mjekësore”, e cila përbën 31.7% të totalit të pagesave faktike të muajit Maj 2025.

Fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2025 me destinacion mbështetjen nga buxheti i shtetit për kontratat koncesionare/PPP, sipas planit vjetor me ndryshime të raportuar nga ana e autoriteteve kontraktore përkatëse, në total janë rreth 13.98 miliardë lekë apo 140 milionë euro. Nga këto, rreth 5.59 miliardë lekë apo 60 milionë euro janë investime dhe rreth 8.39 miliardë lekë apo 84 milionë euro shpenzime korente.

Krahasuar me pagesat faktike vjetore 2024, të cilat arritën vlerën rreth 13.3 miliardë lekë apo 133 milionë euro, pagesat e planifikuara për vitin 2025 janë rreth 6.8 milionë euro më të larta ose rreth 5.14% më shumë, konkretisht si rrjedhojë e:
Planit më të lartë të pagesave për vitin 2025 për kontratën “Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike", rritje e cila ndikohet nga realizimi i ulët i pagesave faktike të kësaj kontrate për vitin 2024; Planit më të lartë të pagesave për vitin 2025 për kontratën ‘Financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të konteinerve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë’, rritje e cila ndikohet nga realizimi më i ulët i pagesave faktike për vitin 2024 si rrjedhojë e efektit të kursit të këmbimit.

Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP për vitin 2025, prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2024, përllogaritet në rreth 330 milionë euro. Plani i pagesave 2025 për kontratat koncesionare/PPP, të raportuara nga Autoritetet Kontraktore përkatëse, përbën 2.12% të totalit të të ardhurave tatimore faktike 2024, duke respektuar rregullin fiskal prej ‘jo më shumë se 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës’.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat