Shqipëria Postuar më 6 Prill 2026, 13:15

Buxheti për hekurudhat, realizim 91% - Raporti / Financimi i huaj shkoi për Tiranë-Durrës-Rinas dhe Rrogozhinë-Pogradec

Nga Ola Mitre

Buxheti për hekurudhat, realizim 91% - Raporti / Financimi i huaj shkoi

Programi buxhetor “Transporti Hekurudhor” për vitin 2025 paraqet një nivel të lartë realizimi, duke reflektuar përparim në zbatimin e projekteve në këtë sektor. Sipas të dhënave të raportit të monitorimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shpenzimet korente janë realizuar në masën 100%, ndërsa shpenzimet kapitale që përfshijnë investimet, kanë arritur në 97% për financimin e brendshëm dhe 91% për financimin e huaj.

Në total, gjatë vitit 2025 për këtë program buxhetor u shpenzuan 3.4 mld lekë, pjesa më e madhe e të cilave përfshin investimet me financim të huaj.

Në vlerë absolute, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm rezultojnë në rreth 510 mln lekë, duke shënuar një realizim të plotë krahasuar me planin e rishikuar dhe një përmirësim të ndjeshëm nga viti 2024, kur realizimi ishte vetëm 75%. Këto fonde janë përdorur kryesisht për studime projektimi, mirëmbajtje dhe rinovim të infrastrukturës hekurudhore, si dhe për mbulimin e TVSH-së për projektet e huaja.

Ndërkohë, investimet me financim të huaj kanë arritur në rreth 2.38 mld lekë, me një realizim prej 91%, dukshëm më i lartë krahasuar me vitin 2024, kur niveli i zbatimit ishte vetëm 32%. Kjo rritje lidhet me avancimin e rehabiltimit të linjës hekurudhore Tiranë - Durrës-Rinas, ndërtimin e godinave të stacioneve për këtë linjë, si dhe për hartimin e projektit të detajuar të hekurudhës Rrogozhinë – Pogradec.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat