Shqipëria Postuar më 25 Nëntor 2024, 19:17

Buxheti 2025, Kuvendi më shumë fonde për institucionet e drejtësisë, shpenzimet shtesë për paga dhe investime

Nga SCAN TV

Buxheti 2025, Kuvendi më shumë fonde për institucionet e

Komisioni Parlamentar i Ligjeve vendosi të hënën që të pranojë shumicën e kërkesave për shtesë në buxhetin e vitit 2025 të institucioneve të drejtësisë.

“Komisioni vendosi të miratojë shtesën në zërin e shpenzimeve korrente në vlerën 48.1 milionë lekë, për të përballuar shtesën prej 32 punonjësish administrativë, pjesë e programit buxhetor të Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor të Ministrisë së Drejtësisë, për të finalizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë,” relatoi deputeti Saimir Hasalla.

Sipas shifrave që relatoi Hasalla, për SPAK-un u miratuan një fond 100 milionë lekë në zërin e shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore për të përballuar numrin e plotë të punonjësve dhe 100 milionë lekë në zërin e investimeve, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës së re dhe urës lidhëse midis dy godinave. Ndërsa KLGJ-së iu miratua një shtesë në vlerën totale prej 500.4 milionë lekë për shpenzime për paga dhe sigurime shoqërore për përballimin e shtesës së miratuar prej 133 punonjësish, për projektin dixhitalizim dhe investime në gjykata.

Por kjo shifër ishte shumë larg kërkesës prej 3.2 miliardë lekësh që parashtroi kryetari i ri i këtij këshilli, Ilir Rusi para komisionit.

Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë u miratua një shtesë në vlerën 24 milionë lekë për sigurinë kibernetike, një sektor i cili u konsiderua prioritet nga komisioni i ligjeve edhe për institucionet e tjera. Të gjitha propozimet për shtesat në buxhetet e këtyre institucioneve kalojnë për miratim në Komisionin e Ekonomisë, si komision përgjegjës për buxhetin para se të kalojnë në seancë plenare për votim.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat