Shqipëria Postuar më 28 Prill 2025, 12:10

Burokracia, “plagë” e ekonomisë gjermane - U kushton bizneseve të vogla e të mesme mbi 61 miliardë euro në vit

Nga Kristi Ceta

Burokracia, “plagë” e ekonomisë gjermane - U kushton

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Gjermani shpenzojnë 61 miliardë euro në vit vetëm për shkak të burokracisë, sipas bankës gjermane të zhvillimit KfW.

Në hulumtimin e publikuar, shkruhet se punonjësit në rreth 3.8 milionë kompani të tilla në Gjermani shpenzojnë mesatarisht shtatë përqind të kohës së tyre të punës për procedura burokratike. Kjo, siç llogaritet, është një mesatare prej rreth 32 orësh pune në muaj për kompani, pra një total prej 1.5 miliardë orësh pune në vit, raporton Beta.

Anketa përfaqësuese, të cilën KfW e ka kryer rregullisht që nga viti 2002, përfshinte 10,000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme nga të gjithë sektorët ekonomikë. Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave, çmimi mesatar total i një ore pune në Gjermani në vitin 2023 ishte 41.30 euro.

Sipas kësaj vlere, vitin e kaluar kompanitë kanë ndarë 61 miliardë euro për detyrime burokratike shtetërore, që korrespondon me rreth 3.9 përqind të të gjitha shpenzimeve vjetore të personelit të kompanive të vogla dhe të mesme.

Kjo nuk përfshin detyrimet që nuk mund të shprehen si orë pune, siç janë planifikimi afatgjatë ose procedurat për marrjen e lejeve, problemet me aksesin në autoritetet administrative ose interpretimet e diskutueshme të rregullave të caktuara.

Në mënyrë specifike, anketa renditi si probleme burokratike detyrat e dokumentimit dhe përpilimit të informacionit, plotësimin e formularëve, si dhe kohën e nevojshme që kompanitë të përmbushin dispozitat dhe rregullat ligjore. Si sfidat më të mëdha, të anketuarit përmendën detyrimet tatimore, procedurat për të mbajtur dhe përpiluar dokumentacionin dhe detyrimet e kontabilitetit.

"Në veçanti, kostoja psikologjike e komunikimit me burokracinë luan një rol të madh për shumë sipërmarrës. Nga perspektiva e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, faktori i burokracisë është padyshim rreziku më i madh për konkurrueshmërinë dhe për Gjermaninë si një vend prodhimi", theksojnë ekspertët.

Hulumtimi tregoi se të vetëpunësuarit kanë kostot më të larta burokratike. Mesatarisht, ata përdorin 8.7 përqind të kohës së tyre të punës për të kryer procedura të tepërta burokratike.

Analistët theksojnë se burokracia është një nga themelet e sistemit ekonomik. Sipas tyre, procedurat e standardizuara dhe të formalizuara janë një parakusht për të vepruar në përputhje me rregullat, për sundimin e ligjit dhe konkurrencën e drejtë në treg. Megjithatë, ekziston një rrezik në rritje që shpenzimet të tejkalojnë përfitimet. Kjo është arsyeja pse reduktimi i burokracisë është aktualisht tema më e rëndësishme e politikës ekonomike nga perspektiva e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, thonë ekspertët.  

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat