Shqipëria Postuar më 6 Qershor 2025, 11:42

“Bukë e Zemër”, festivali i arkitektëve ndërkombëtarë - Rama: Sot Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë sa e gjithë Europa bashkë

Nga Diamila Leka

“Bukë e Zemër”, festivali i arkitektëve

“Bukë e Zemër”, është festivali që mblodhi mbi 150 arkitektë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri. Së bashku me partnerët e tyre lokalë dhe të ftuarit e tyre, ata u bënë pjesë e këtij festivali ku ndanë eksperiencat dhe diskutimet mbi sfidat e zhvillimit urban e social.

I pranishëm, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, duke e paralelizuar me festën e Kurban Bajramit, këtë festival e konsideroi Bajram të shpirtit si një akt i hedhjes së hapave përpara.

“Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më të mëdhenj të botës me para dhe shkëlqime, por me besimin në realitetin e një ëndrre. Diçka plot jetë, e papërsëritshme, ende e lirë në mënyrë të pabesueshme nga komforti i rregulloreve që nuk mbysim. Ky festival është një Bajram i shpirtit, një akt i hedhjes së hapave para jo për të dominuar tokën por për ta dëgjuar.”

Sipas Ramës, Shqipëria aktualisht është në fazën që prodhon më shumë arkitekturë sa e gjithë Europa bashkë.

“Të nderuar arkitektë, të rinj e me përvojë, miq të dashur të Shqipërisë që keni ardhur këtu nga të dyja hemisferat e botës, arkitektura mund të transformojë jo vetëm hapësira, por edhe imagjinatën e një komuniteti, vizionin për të ardhmen dhe vetëbesimin e tij. Ju uroj mirëseardhjen e ngrohtë këtu, në një Shqipëri që sot prodhon më shumë arkitekturë se sa e gjithë Europa bashkë. Sot nisim së bashku një aventurë të re, për të ndërtuar një hapësirë shpirtërore”.

“Bukë e Zemër”, festivali i arkitektëve

Më tej kryeministri Rama u shpreh se Tirana është shndërruar në katalizator dhe se projektet që lindin në Shqipëri janë rezonuese me vlera.

“Shqipëria është kthyer në një port shprese, arkitektët ndërkombëtarë vijnë në numra që vetëm pak vite më parë nuk do t’i kishim imagjinuar. Tirana sot nuk është më vetëm një skenë, është katalizator. Projektet që lindin në Shqipëri nuk janë mediokritete lokale apo klishe globale, janë të gjalla, rezonuese me vlerë. Në një botë të fiksuar me ikona, ajo çfarë shpaloset këtu duket thuajse supersive, diçka që krijohet si e përbashkët, por si asgjë tjetër më parë. Çfarë është më e rëndësishme guxon të ndërtojë mes asaj që është vërtetë e përbashkët, si një akt krijimi. Ky festival s’ka të bëjë me arkitekturën si profesion, por si aktin më të afërt njerëzor, të krijosh hapësira ku jeta mund të rritet dhe të mbrojë veten”.

Ky festival e fut Shqipërinë në një tjetër hartë prestigjoze të Europës, duke krijuar premisat që në disa vjet nga sot, “Bread & Heart” Festival të kthehet në një eveniment prestigjoz global, me arkitekturën në qendër, por me një perimetër gjithnjë e më të gjerë disiplinash të përfshira në debat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat