Shqipëria Postuar më 8 Shtator 2025, 11:38

Bujqësia, e “etur” për financim - Sa iu përgjigjën bankat? BSH: Në korrik u dhanë rreth 28.6% më pak kredi për këtë sektor

Nga Ledina Elezi

Bujqësia, e “etur” për financim - Sa iu

Kredia në bujqësi i është rikthyer sërish rënies. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat tregtare financuan më pak biznese të këtij sektori në muajin korrik.

Konkretisht, kredia e re për bujqësinë, pyjet dhe peshkimin ishte vetëm 189 milionë lekë, me një rënie prej 28.6% në krahasim me muajin qershor. Ndërkohë, stoku i kredisë ekzistuese, pra i atyre që kanë marrë kredi përpara korrikut dhe vijojnë ta shlyejnë çdo muaj rezulton të jetë vetëm 6.2 miliardë lekë, me një rritje të lehtë nga muaji qershor si rezultat i interesave të papaguara ose ristrukturimit të kredisë, por me një rënie prej 1% krahasuar me muajin korrik të 2024.

Por pse bujqësia vijon të jetë një sektor i nënfinancuar nga bankat?

Bankat tregtare e shohin bujqësinë si një sektor me risk. Ajo konsiderohet një sektor me informalitet të lartë, që nuk i plotëson dot kërkesat për kolateral të bankës, e për rrjedhojë këto të fundit priren të jenë më dorështrënguara në miratimin e kredisë ndaj tyre. Shumë prej bizneseve që ushtrojnë aktivitet në fushën e bujqësisë i drejtohen institucioneve financiare jo banka për kredi, ndërsa ata i shohin bankat si shumë burokratike në kriteret dhe procedurat për miratimin e një kredie të re.

Pavarësisht kësaj, ekzistojnë disa nisma që mund ta rrisin mbështetjen ndaj këtij sektori.

Fillimisht, garancia sovrane me një fond prej 3 miliardë lekësh ose 30 milionë eurosh është një instrument i vënë në shërbim të sektorit privat me qëllim lehtësimin e aksesit në financë për fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Normat që parashikohen për këtë skemë do të jenë tejet të favorshme dhe me mbulim deri në 70% të principalit të kredisë, shuma e së cilës nuk do të kalojë 25 milionë lekë për secilin prej subjekteve aplikuese.

Së dyti, Banka e Zhvillimit do të krijohet për të mbështetur pikërisht ndërmarrjet shqiptare që nuk kanë qasje të mjaftueshme në financim nga tregu tradicional dhe të cilat shpesh përballen me vështirësi në sigurimin e kredive ose investimeve për zgjerim dhe inovacion.

Po ashtu, sektorit bankar shqiptar do t'i shtohet një bankë e re. Banka e Shqipërisë dha së fundmi miratimin paraprak per licencimin e degës së bankës së huaj Ziraat Bank në vendin tonë. Një bankë e tillë është e specializuar për huadhënien ndaj bizneseve që operojnë në fushën e bujqësisë, ndaj pritet ta rrisë më tej mbështetjen financiare ndaj këtij sektori.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat