Shqipëria Postuar më 23 Gusht 2025, 11:21

BSH: Rritje e pagesave elektronike në 6-mujorin e parë të 2025 - Pagesat me kartë u rritën 30%, zënë 67% të totalit të pagesave

Nga SCAN TV

BSH: Rritje e pagesave elektronike në 6-mujorin e parë të 2025 -

Banka e Shqipërisë bën të ditur se përdorimi i pagesave elektronike nga qytetarët dhe bizneset ka shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, duke reflektuar zhvillimin e teknologjisë financiare dhe rritjen e besimit ndaj shërbimeve digjitale.

Sipas BSH-së, gjatë periudhës janar–qershor 2025, numri total i pagesave përmes sistemit bankar arriti në 27.9 milionë, një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vlera totale e pagesave kap shifrën e 3.475 miliardë lekëve, me një rritje prej 13% në terma vjetorë.

Ndërkohë kartat bankare kanë qenë një tjetër instrument shumë i përdorur në këtë periudhë.

“Pagesat me kartë janë rritur me 30%, duke zënë 67% të totalit të pagesave, çka tregon adoptimin gjithnjë e më të gjerë të këtij instrumenti në jetën e përditshme. Ndërkohë, transfertat e kreditit online kanë shënuar rritje me 23%, dhe tani përbëjnë 19% të totalit të pagesave”, njofton BSH-ja.

Referuar statistikave, numri i kartave të debitit dhe kreditit në qarkullim ka arritur në 1.572 milionë, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.1%.

Këto shifra tregojnë qartë zhvendosjen drejt një ekonomie gjithnjë e më digjitale dhe moderne, me qytetarë që po përqafojnë më shumë komoditetin dhe sigurinë që ofrojnë pagesat elektronike. Banka e Shqipërisë vijon të mbështesë këtë zhvillim përmes reformave dhe rregulloreve që rrisin aksesin, transparencën dhe sigurinë në tregun financiar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat