Shqipëria Postuar më 3 Qershor 2026, 10:52

Bruksel/ Dogana Shqiptare pjesë e proceseve për standardet globale të klasifikimit të mallrave

Nga Edel Strazimiri

Bruksel/ Dogana Shqiptare pjesë e proceseve për standardet globale

Përfaqësues të Administratës Doganore Shqiptare morën pjesë në sesionin e 67-të të Nënkomitetit për Rishikimin e Sistemit të Harmonizuar, i zhvilluar në selinë e Organizatës Botërore të Doganave, në Bruksel.

Gjatë punimeve të sesionit, ekspertët e vendeve anëtare diskutuan një sërë propozimesh për përditësimin e Sistemit të Harmonizuar (HS), si dhe standardit ndërkombëtar që përdoret për klasifikimin e mallrave në tregtinë globale.

Debatet u fokusuan po ashtu, në përshtatjen e nomenklaturës doganore me zhvillimet ekonomike dhe teknologjike, duke përfshirë produktet dhe teknologjitë e reja, tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër, si dhe rritjen e transparencës së flukseve tregtare ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në këtë forum teknik vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për të kontribuar në proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në standardet globale të klasifikimit të mallrave dhe në lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare.

Administrata Doganore Shqiptare thekson se angazhimi aktiv në grupet teknike dhe strukturat vendimmarrëse të Organizatës Botërore të Doganave ndihmon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në harmonizimin e praktikave kombëtare me standardet më të avancuara ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat