Shqipëria Postuar më 31 Janar 2026, 13:06

“Braktiset” sigurimi kufitar i makinës - Më shumë fitim për kompanitë në 2025. Mbulim më i madh dëmesh, por në vlerë të vogël

Nga Ledina Elezi

“Braktiset” sigurimi kufitar i makinës - Më shumë

Në 2025, kompanitë e sigurimit kanë dëmshpërblyer një numër më të madh personash, por në shuma më të vogla se në 2024. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë një rënie me  0.7% të dëmeve të paguara nga kompanitë.

Pra, vitin e kaluar, kompanitë e sigurimit kanë marrë përsipër të mbulojnë një numër më të madh dëmesh në rast aksidenti dhe jo vetëm, por janë shpenzuar më pak para se në vitin paraardhës.

Për sigurimin kufitar, 2025 ishte po ashtu një vit jo pozitiv. Më pak automjete me targa të huaja po preferojnë të sigurohen kur hyjnë në territorin shqiptar. Shifrat zyrtare flasin për një ulje me 0.6% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2024, ndërsa edhe numri i kontratave të nënshkruara ka ndjekur të njëjtin drejtim.

Ndërkohë, të gjitha produktet e tjera të sigurimit motorik si MTPL e Brendshme, Kartoni Jeshil, sigurimet e tjera të jetës dhe jo-jetës, si për shembull prona, kanë vijuar të rriten. Rënia e interesit për sigurim kufitar nuk është përkthyer në të ardhura më të ulëta për kompanitë e sigurimit, pasi primet totale nga policat e sigurimit kanë vijuar të jenë të larta. Shoqëruar me një vlerë më të ulët dëmesh të paguara se një vit më parë, kompanitë e sigurimit kanë pasur një fitim më të madh në 2025.

Ndarja e tregut vijon të jetë thuajse e njëjta. Varësia nga sigurimi i jo-jetës ka shoqëruar të gjithë 2025. Megjithatë, edhe produktet e sigurimit të jetës rezultojnë të kenë fituar më shumë terren se në 2024.

Ndërkohë, parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, varësia nga produktet e detyrueshme si ai i makinës apo i shtëpisë dhe jetës kur një qytetar merr kredi është thelluar. Primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.62% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.38% të totalit të tregut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat