Shqipëria Postuar më 11 Shtator 2025, 10:58

Borxhi i jashtëm bie në 10.5 mld euro - BSH: 40.5% raporti i  tij me Prodhimin e Brendshëm Bruto

Nga Ledina Elezi

Borxhi i jashtëm bie në 10.5 mld euro - BSH: 40.5% raporti i  tij

Rreth 10.5 miliardë euro rezulton të jetë borxhi i jashtëm i Shqipërisë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i borxhit të jashtëm është tkurrur me 137 milionë euro ose 1.3% në fund të vitit 2024.

Statistikat zyrtare tregojnë se në fund të qershorit 2025, borxhi i jashtëm bruto ra në 40.5% të nivelit  të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 41.5% që ishte në fund të tremujorit të parë.

Gati 88% e borxhit total është borxh afatgjatë, ndërsa 12% është borxh afatshkurtër. Konkretisht borxhi i jashtëm afatgjatë llogaritet në 9.2 miliardë euro, me rënie në krahasim me tremujorin e parë dhe ai afatshkurtër në gati 1.3 miliardë euro.

Për sa i përket borxhit të jashtëm afatgjatë sipas instrumenteve, huatë vijojnë të kryesojnë në masën 44% të totalit. Nga ana tjetër, instrumentet financiare në formën e monedha dhe depozita, si dhe kreditë tregtare dhe paradhëniet zënë përkatësisht 29% dhe 49% të tepricës së borxhit afatshkurtër.

Monedha evropiane (EUR) është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës. Rreth 7.8 miliardë ose 74% e borxhit të jashtëm është në euro, ndërkohë që vetëm 8% është në dollar amerikan.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditorët publikë, pra huaja nga institucionet financiare ndërkombëtare, mban pjesën më të madhe të tepricës së borxhit të jashtëm afatgjatë. Investimet e portofolit të bankave private dhe të qeverisë, si dhe huaja nga banka private dhe institucione të tjera private, përbëjnë përkatësisht 19% dhe 15% të borxhit të jashtëm afatgjatë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat