Shqipëria Postuar më 18 Tetor 2025, 12:24

Borxhet për faturat e OSHEE/ Stoku i detyrimeve të prapambetura arrin 80.44 mld lekë

Nga Ola Mitre

Borxhet për faturat e OSHEE/ Stoku i detyrimeve të prapambetura arrin

Borxhi total, që klientët kanë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pësoi rritje tejet të lehtë gjatë 8 - mujorit të parë këtij viti, në raport me dhjetorin e vitit 2024. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, vlera për detyrime të papaguara ndaj OSHEE nga klientët familjarë, institucionet shtetërore, ujësjellësit dhe bizneset deri në fund të muajit guasht arriti në 80.44 mld lekë, nga 80.43 mld lekë që ishte në fund të vitit 2024. Kjo tendencë e borxheve totale vjen si pasojë e rritjes së detyrimeve të papaguara, nga klientët buxhetorë, jobuxhetorë dhe biznese. Ndërkohë që stoku i borxhit për klientët familjarë shënoi rënie.

Kështu, stoku i detyrimeve të prapambetura për familjarët u ul në 44.44 mld lekë, nga 45.48 mld lekë. Sa i takon klientëve të tjerë, për kategorinë e bizneseve borxhi u rrit në 10.47 mld lekë, nga 10.34 mld lekë që ishte në fund të vitit që shkoi. Për institucionet shtetërore niveli i faturave të papaguara të energjisë në fund të gushtit arriti në 5.1 mld lekë, nga 5.05 mld lekë që ishte 8 muaj më parë, ndërsa sa i takon kategorisë së jobuxhetorëve, ku përfshihen ujësjellësit detyrimet e prapambetura arritën në 20.42 mld lekë në fund të gushtit, nga 19.54 mld lekë që ishin ne fund të vitit 2024.

Kostot e energjisë elektrike përbëjnë rreth 23% të shpenzimeve të operimit dhe mirëmbajtjes në sektorin e ujësjellës - kanalizime, ndërsa 12 nga 17 shoqëri nuk arrijnë t’i mbulojnë këto kosto. Kjo bën që kompanitë të mbështeten tek subvencionet e qeverisë ose të vonojnë pagesat ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke akumuluar borxhe të shumta. Më herët, Enti Rregullator i Ujit ka theksuar se çdo shoqëri duhet të hartojë studime specifike për eficiencën energjetike, si një formë për të ulur konsumin e rrjedhimisht edhe vlerën e faturave të energjisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat