Shqipëria Postuar më 14 Gusht 2025, 11:25

Borxhet e familjarëve ndaj OSHEE, mbi 44 mld lekë - Lehtësimet/ Zbatohet skema e re e shlyerjes me këste, përfitojnë edhe bizneset

Nga Ola Mitre

Borxhet e familjarëve ndaj OSHEE, mbi 44 mld lekë - Lehtësimet/

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nisi më 21 korrik zbatimin e aktmarrëveshjeve të reja për shlyerjen me këste të detyrimeve të papaguara deri më 31 dhjetor 2023 për abonenët familjarë dhe biznese.

Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se, deri në 31 dhjetor 2023, borxhet e klientëve familjarë ndaj OSHEE kapnin vlerën e 45.40 mld lekë, duke zënë pjesën më të madhe të totalit të detyrimeve të prapambetura. Ndërkohë që, klientët privatë, që gjithashtu mund të përfitojnë nga skemat lehtësuese, kishin mbledhur 11.69 mld lekë detyrime të papaguara. 

Këtë vit nivelet e borxhit për këto dy kategori janë më të ulta, me respektivisht 44.67 dhe 9.63 mld lekë, teksa kjo ulje lidhet edhe me skemat e aktmarrëveshjeve për likujdimin me këste të borxheve të prapambetura.

Ndërkaq, sipas skemës që është duke u aplikuar aktualisht, klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pensionistët mund të shlyejnë borxhin me këste fikse mujore prej 1,200 lekësh, ndërsa pjesa tjetër e klientëve familjarë me këste prej 2,800 lekësh. Për bizneset, pagesat do të përcaktohen sipas vlerës së debisë dhe mund të shtrihen deri në 120 këste.

Paralelisht, OSHEE ka miratuar edhe një skemë reduktimi të kamatëvonesës: familjarët që shlyejnë detyrimin njëherësh përfitojnë 70% ulje të kamatëvonesës, ndërsa klientët jo familjarë përfitojnë 100% ulje. Për të përfituar nga këto lehtësime, abonentët duhet të kenë likuiduar detyrimet e krijuara gjatë vitit 2024 dhe në vijim. Nënshkrimi i aktmarrëveshjeve bëhet pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat