Shqipëria Postuar më 15 Prill 2025, 10:59

“Boom” i turizmit rrit të ardhurat nga qiratë - 53 milionë euro tatim i paguar në 2024-ën, ndikim AirBnB dhe Booking

Nga Elisabeta Dosku

“Boom” i turizmit rrit të ardhurat nga qiratë - 53

Rritja e numrit të turistëve nga viti në vit ka bërë që edhe më shumë prona të dalin në treg nga qytetarët, duke u dhënë me qira afatshkurtër përmes platformave AirBNB apo Booking. Po ashtu edhe çmimet e qirave mujore afatgjatë kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit që lamë pas, duke sjellë më shumë përfitime për qytetarët por edhe për buxhetin e shtetit.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregojnë se tatimi i arkëtuar nga qiratë  në vitin 2023 është regjistruar në rreth 48 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 ka shkuar në 53 milionë euro.  Rritja regjistrohet në rreth 5 milionë euro apo 10.3 %

Rritja është e konsiderueshme, pavarësohet se tregu i qiradhënies ka probleme me informalitetin dhe jo të gjithë e deklarojnë atë. Në tetor të vitit të kaluar, administrata tatimore u vendosi si detyrim bizneseve që të deklarojnë pranë statusin e pronësisë apo kontratën e qirasë të ambientit ku ushtrojnë aktivitetin ekonomik.

Por sa është norma tatimore që paguhet mbi qiratë? Sipas ligjit në fuqi “për tatimin  mbi të ardhurat” ,  të ardhurat nga qiratë e pasurive të paluajtshme trajtohen si e ardhur nga investimet dhe tatimi i aplikuar në burim është 15 për qind e vlerës së qirasë mujore.  Pra nëse qiraja është në vlerën 50 mijë lekë në muaj, tatimi që duhet paguar është 7500 lekë në muaj. 

Në rastin kur një individ ia ka dhënë pronën me qira një subjekti të regjistruar, ky i fundit është përgjegjës për mbajtjen, deklarimin dhe pagesën e tatimit në burim për llogari të organit tatimor. Kur qiramarrësi është një person i paregjistruar, si në rastin e turistëve vendas apo të huaj, individi qiradhënës si përfitues i të ardhurave, është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor, tatimin në burim jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

Gjatë këtij viti administrata tatimore shqiptare ka nisur një bashkëpunim me administratën tatimore irlandeze për investigimin e individëve që përfitojnë të ardhura nga platformat Booking dhe AirBnB dhe nuk i deklarojë ato.  Ndërsa u ka kërkuar individëve që të bëjnë deklarimet përkatëse përmes DIVA-s. Të dhënat nga tregu i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër tregojnë aktualisht në platforma të ndryshme rezervimi, figurojnë mbi 18 200 njësi me qira afatshkurtër aktive.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat