Shqipëria Postuar më 18 Gusht 2025, 12:10

“Boom” biznesesh të reja në Korrik - Rritje me 45%, regjistrohen mbi 37 mijë aplikime

Nga Elisabeta Dosku

“Boom” biznesesh të reja në Korrik - Rritje me 45%,

Sezoni turistik mesa duket ka shtuar dhe iniciativat e qytetarëve për të hapur një biznes. Të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, tregojnë se vetëm në muajin Korrik janë regjistruar 1843 biznese të reja në të gjithë vendin, me një rritje prej 45 për qind krahasuar me Korrikun 2024.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të disponueshme, u regjistruan 37,016 aplikime online, duke reflektuar një interes dhe angazhim të lartë nga sipërmarrësit sa i takon çështjeve të biznesit.  Aplikimet përfshijnë një gamë të gjerë shërbimesh e siç janë aplikime për regjistrime fillestare, ndryshime, pezullime, aktivizime, çregjistrime.

Qendra Kombëtare e Biznesit operon në tre regjistra, secili me kritere dhe procedura specifike. Regjistri Tregtar ka regjistruar 35,139 aplikime; Regjistri i Pronarëve Përfitues 937 aplikime dhe Regjistri i Lejeve dhe Licencave 1040 aplikime.

Regjistri i Leje/ Licencave dhe Autorizime ka regjistruar 139 licenca të lëshuara në muajin Korrik dhe  32 leje.

Muaji korrik përmbylli edhe afatin zyrtar për dorëzimin e bilanceve vjetore 2024. Kjo solli një numër të lartë aplikimesh dhe dorëzimesh në QKB.

Të dhënat e QKB tregojnë një tendencë të vazhdueshme të digjitalizimit dhe lehtësimit të procedurave për bizneset në Shqipëri.

Në kuadër të reformës së digjitalizimit, bizneset  kryejnë të gjitha shërbimet e nevojshme që marrin nga Qendrën Kombëtare të Biznesit, online nëpërmjet portalit e-albania,  duke shkurtuar kohë, procedura si dhe radhët e pritjes për qytetarët.

Po ashtu, përmes ndryshimeve ligjore të ndërmarra vitin e kaluar,  janë eliminuar  një sërë tarifash për aplikim që paguheshin më parë nga biznesi, siç është tarifa për kryerjen e aplikimit për rezervimin e emrit si dhe është rregulluar mënyra e lëshimit të certifikatës për këtë qëllim. Po ashtu është hequr edhe tarifa për transferimin e emrit tek palët e treta,  si dhe pagesa për kryerjen e aplikimit për korrigjimin e gabimeve.

Certifikata e  regjistrimit i shkon subjektit elektronikisht, njëkohësisht njoftimi i arsyes së refuzimit të aplikimit,  i shkon subjektit në rrugë elektronike. Është sanksionuar fakti se certifikata e regjistrimit fillestar lëshohet vetëm  një herë ne momentin e miratimit te aplikimit, dhe i shkon subjektit në rrugë elektronike.

Ekstraktet lëshohen vetëm në format elektronik dhe pa pagesë nëpërmjet sportelit elektronik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat