Shqipëria Postuar më 2 Janar 2026, 14:43

‘Bonus-Malus’, shoferët ‘e pabindur’ do të paguajnë më shumë për siguracionin e automjetit

Nga SCAN TV

‘Bonus-Malus’, shoferët ‘e pabindur’ do të

Duke filluar nga 1 janar 2026, ka nisuar aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Sistemi bonus-malus nënkupton prime më të shtrenjta sigurimi, krahasuar me ato aktuale, për ata drejtues mjetesh që kanë shkaktuar dëme dhe prime më të ulëta për drejtuesit që nuk kanë shkaktuar dëme. Megjithatë, sipas ekspertëve të tregut, ndryshimi do të jetë shumë më i madh në rastin e drejtuesve që kanë shkaktuar dëme (malus), ndërkohë që zbritja për drejtuesit pa histori dëmesh (bonus) pritet të jetë më modeste.

Në vitin 2024, AMF miratoi rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Kjo rregullore hyri në fuqi në 1 janar 2025, por në vitin e parë të zbatimit ndër faktorët e riskut nuk u përfshi parimi bonus-malus, duke u shtyrë për në vitin 2026.

Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë ndjekin disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit dhe vjetërsia e mjetit.

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2021. Megjithatë, ligji e parashikon si të drejtë të kompanive të sigurimit, por jo një detyrim.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat