Shqipëria Postuar më 12 Gusht 2026, 11:20

Bonot 12-mujore bëhen më fitimprurëse - Yield-i shënon rritje në ankandin e fundit, por kërkesa e investitorëve mbetet e ulët

Nga Ledina Elezi

Bonot 12-mujore bëhen më fitimprurëse - Yield-i shënon

Fitimet nga investimi në bono thesari 12-mujore kanë shënuar një tjetër rritje në ankandin më të fundit të zhvilluar nga Ministria e Financave, më 11 gusht. Yield-i mesatar i ponderuar i pranuar arriti në 2.75%, nga 2.67% që ishte në ankandin e mëparshëm të muajit korrik.

Kjo rezulton të jetë norma më e lartë e interesit për bonot 12-mujore që prej fillimit të vitit, duke vijuar trendin rritës të yield-eve në ankandet e fundit. Megjithatë, niveli i interesit mbetet pranë normës bazë të Bankës së Shqipërisë, e cila aktualisht qëndron në 2.50%.

Në ankandin e 11 gushtit, Ministria e Financave kishte shpallur për financim 7.2 miliardë lekë, ndërsa kërkesat e paraqitura nga investitorët arritën në rreth 6.86 miliardë lekë. Pra, kërkesa ishte rreth 345 milionë lekë më e ulët se shuma që qeveria synonte të merrte hua.

Për pasojë, Ministria pranoi të gjithë shumën e kërkuar nga investitorët, rreth 6.86 miliardë lekë, por nuk arriti të sigurojë të gjithë shumën e planifikuar. Raporti i mbulimit të ankandit rezultoi 0.95, që do të thotë se për çdo 100 lekë bono të ofruara nga qeveria, investitorët kërkuan rreth 95 lekë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se yield-i minimal i kërkuar nga investitorët ishte 2.60%, ndërsa yield-i mesatar i ponderuar i pranimit u fiksua në 2.75%. Kjo tregon se investitorët kërkuan një kthim disi më të lartë për të investuar në bonot 12-mujore, në krahasim me ankandin e kaluar.

Bonot e thesarit 12-mujore konsiderohen ndër instrumentet më të sigurta të investimit në tregun vendas, pasi garantohen nga shteti. Yield-i përfaqëson fitimin e investitorit nga mbajtja e bonos deri në maturim. Në rastin e bonove 12-mujore, ky fitim krijohet nga diferenca mes çmimit që investitori paguan për blerjen e bonos dhe vlerës që merr në fund të afatit njëvjeçar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat