Shqipëria Postuar më 8 Gusht 2025, 10:13

Blegtoria, drejt një plani zhvillimi të qëndrueshëm - Studim strategjik në 13 njësitë rurale të Tiranës

Nga Ernilda Luzi

Blegtoria, drejt një plani zhvillimi të qëndrueshëm - Studim

Bashkia Tiranë ka shpallur hapjen e tenderit për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe planit të biznesit për zhvillimin e sektorit të blegtorisë.

Referuar dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, studimi i fizibilitetit dhe plani i biznesit për zhvillimin e sektorit të blegtorisë ka si qëllim të analizojë, identifikojë dhe hartojë politika, strategji sektoriale në funksion të zhvillimit të blegtorisë, si dhe të drejtojë dhe mbështesë në rritjen dhe përmirësimin e ekonomisë në zonat rurale të Bashkisë Tiranë. 

Gjithashtu, synon të përcaktojë mundësitë dhe sfidat e sektorit të blegtorisë për rritjen dhe avancimin e këtij sektori në 13 Njësitë Administrative Rurale të Bashkisë Tiranë, konkretisht në: Petrelë, Farkë, Dajt, Zall-Bastar, Bërzhitë, Krrabë, Baldushk, Shëngjergj, Vaqarr, Kashar, Pezë, Ndroq, Zall-Herr. Ky studim do të lehtësojë orientimin e investimeve vendore, qendrore apo edhe ato të huaja për zhvillimin e mëtejshëm sipas zonave, duke iu referuar dhe statusit të përditësuar nëse ka një plan për zhvillimin e zonës, në zbatim të përcaktimeve ligjore në fuqi.

Aktualisht, ky sektor përballet me mungesën e studimeve në të gjitha fushat duke filluar nga tipet e fermave, format strukturore dhe organizative, format e menaxhimit dhe efektiviteti ekonomik. Mungesa e të dhënave sjell dhe mungesë për zhvillimin e këtij sektori dhe kjo paraqet një nevojë imediate për vlerësim, në funksion të zhvillimit të blegtorisë.

Referuar dokumentit, plani i biznesit dhe studimi i fizibilitetit do të identifikojë mundësitë për rritje të sektorit blegtoral bazuar në kullotë; burime njerëzore, duke iu referuar të rinjve në fermë, specialistëve të fushës (agronomë, veterinerë, zooteknikë); infrastrukturë: pajisje, asistencë teknike, nevoja për aftësimin professional; të identifikojë burime të mundshme të financimit dhe të vlerësojë kostot e nevojshme për të realizuar projektet për zhvillimin e sektorit të blegtorisë.

Po kështu, pritet të identifikojë mundësitë e financimit: fermerët ekszistues, mikrokredi, mekanizma miks, bashkëfinancim; si dhe të analizojë impaktin social, ekonomik dhe mjedisor, duke përfshirë përfitimet dhe rreziqet potenciale. Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është deri më 18 gusht 2025, ora 10:00.   Fondi limit i përllogaritur është 5 milionë e 820 mijë lekë pa TVSH.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat