Shqipëria Postuar më 26 Nëntor 2025, 13:19

“Black Friday”, nis gara e uljeve në treg - Senko: Bizneset të paraqiten me çmime reale

Nga Diamila Leka

“Black Friday”, nis gara e uljeve në treg - Senko: Bizneset

Nëntori ka sjellë jo vetëm festimet kombëtare, por edhe një garë të madhe uljesh në tregun shqiptar. Bizneset kanë nisur ofertat, ndërsa kulmi pritet me “Black Friday”, i cili tashmë është kthyer në një traditë të fuqishme të konsumit.

Rrjetet kryesore të supermarketeve, dyqanet e modës, elektronikat dhe shumë biznese të tjera kanë lançuar ulje që shkojnë deri në 70%. Por si ndikojnë këto oferta në shitjet?

“Duke qenë se ditët e fundit të nëntorit përkojnë me festat e Pavarësisë, Çlirimit por njëkohësisht edhe Black Friday, pothuajse çdo biznes në këto ditë lançon uljet e veta. Kudo shikojmë oferta, zbritje çmimesh, bonuse dhurata dhe sigurisht që në këtë periudhë janë pikërisht ato ditë që klientët presin për të bërë blerjet e tyre. Patjetër që vihet re një fluks i madh klientësh dhe shitjet rriten," tha Egi Senko, Specialiste marketingu.

Megjithatë, krahas ofertave të shumta, nuk mungojnë shqetësimet për abuzime me çmime fiktive apo konkurrencë të pandershme mes bizneseve.

“Gjithmonë do të ketë hapësirë për vendosje çmimesh artificiale, pasi çdo subjekt duke shfrytëzuar ditët e festave dhe promovimeve mund të vendosë disa çmime jo reale, duke ‘gënjyer’ klientin. Nga eksperienca ime, sugjeroj që bizneset të paraqiten me çmimet reale, duke konkurruar jo vetëm me çmime por edhe me cilësinë e produktit dhe mënyrën se si komunikojmë me klientët tanë. Konkurrenca është e pranishme çdo ditë”, u shpreh ajo.

Uljet nuk janë më vetëm në vitrinat e dyqaneve. Në një treg që po orientohet gjithnjë e më shumë drejt digjitalizimit, rrjetet sociale dhe website-t e bizneseve e kthejnë këtë periudhë në një maratonë postimesh, duke ndikuar drejtpërdrejt te mënyra si qytetarët marrin vendimet për blerje.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat