Shqipëria Postuar më 2 Qershor 2025, 13:15

Bizneset në industri, optimiste për eksportet - BSH: Besimi në ekonomi u rrit me 1.1 pikë në maj. Shërbimet, nivel të lartë kërkese

Nga Ledina Elezi

Bizneset në industri, optimiste për eksportet - BSH: Besimi në

Pas një rënieje në muajin prill, besimi në ekonomi i është rikthyer sërish rritjes gjatë majit. Sipas raportit të përmuajshëm të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 1.1 pikë në muajin maj, me industrinë dhe shërbimet që patën ndikimin më të madh në këtë rritje, ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit dhe tregtisë, regjistroi një rënie të lehtë.

Konkretisht, besimi në industri u rrit me 8 pikë përqindje në muajin prill, si rrjedhojë e vlerësimeve optimiste për kontratat porositëse të bizneseve nga eksportet. Niveli i tij këtë muaj është përsëri mbi mesataren historike. Bizneset e këtij sektori presin çmime në rënie në të ardhmen.

Treguesi i besimit në shërbime qëndron rreth 16 pikë përqindje mbi mesataren historike. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje. Ndër arsyet e kësaj rritjeje mund të jetë edhe afrimi i sezonit veror, ku bizneset në sektorin e shërbimeve kanë dhe fitimin më të madh, ndërsa pritet edhe një rritje e çmimeve të tyre.

Ndërkohë, besimi i konsumatorëve në ekonomi nuk ka ndryshuar. Konsumatorët kanë një prirje negative për situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha, ndërsa vlerësimi i tyre për situatën e përgjithshme ekonomike u përmirësua në maj.

Për sa i përket besimit në tregti, ai regjistroi rënie me 1.8 pikë përqindje në muajin maj. Niveli i tij aktualisht qëndron rreth 4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rënien e tij ndikuan kryesisht vlerësimet më pesimiste për ecurinë aktuale të biznesit. Në një masë më të vogël rënëse ndikoi edhe komponenti i pritjeve për nivelin e punësimit në të ardhmen.

Për të tre këta sektorë, ndërtimin, shërbimet dhe tregtinë, pritjet për çmimet në të ardhmen janë në rritje.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat