Shqipëria Postuar më 25 Korrik 2025, 10:13

Bizneset në anë të rrugëve, afat deri më 31 korrik për largimin e materialeve

Nga Scan TV

Bizneset në anë të rrugëve, afat deri më 31 korrik

Ka nisur aksioni për pastrimin e rrugëve kombëtare nga rrëmuja e bizneseve buzë rrugës, për të kthyer hapësirat publike në funksion të sigurisë dhe qytetarisë. Përmes një postimi Kryeministri Edi Rama shprehu se, çdo material brenda 20 metrave nga aksi i rrugës duhet të largohet deri më 31 korrik, përndryshe do të merren masa ndëshkuese ligjore.

“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës.Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë - përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH.

Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE,”- deklaroi Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat