Shqipëria Postuar më 6 Korrik 2026, 12:48

Bizneset ende hasin vështirësi për financim - OECD: Shqipëria përmirëson lehtë rezultatin, por mbetet nën mesataren e rajonit

Nga Ledina Elezi

Bizneset ende hasin vështirësi për financim - OECD:

Aksesi i bizneseve të vogla dhe të mesme në financim në Shqipëri ka shënuar një përmirësim të lehtë, por vendi vijon të mbetet nën mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit të OECD për Indeksin e Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

Në vlerësimin për vitin 2026, Shqipëria ka marrë 3.13 pikë për dimensionin e aksesit në financë, nga 3.05 që ishte në vlerësimin e mëparshëm. Megjithatë, rezultati mbetet nën mesataren rajonale prej 3.21 pikësh.

Raporti vlerëson se vendi ka bërë përparim në zhvillimin e alternativave të financimit, veçanërisht përmes zgjerimit të leasing-ut, factoring-ut dhe sektorit të mikrofinancës. Po ashtu, është miratuar një strategji e re për edukimin financiar, e cila synon të rrisë njohuritë e qytetarëve dhe bizneseve mbi produktet financiare.

Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, kreditimi bankar vijon të mbetet një nga pikat më të dobëta. OECD evidenton se bizneset hasin vështirësi për të marrë kredi për shkak të problemeve me regjistrimin e kolateralit dhe mungesës së një sistemi të plotë informacioni për kredinë.

Sipas raportit, Shqipëria ende nuk ka një kuadër ligjor për krijimin e një byroje private krediti, ndërsa regjistri i kredive nuk përfshin të dhëna nga kompani të tilla si furnizuesit e energjisë apo shërbimeve të tjera. Kjo kufizon informacionin që bankat kanë për huamarrësit dhe i bën ato më të kujdesshme në dhënien e kredive.

Një tjetër problem lidhet me regjistrimin e aseteve që përdoren si kolateral, sidomos në bujqësi, ku pronësia e bagëtive, makinerive apo serrave shpesh nuk dokumentohet në mënyrë të plotë. Nga ana tjetër, raporti vlerëson si pozitiv procesin e dixhitalizimit të regjistrit kadastral, i cili pritet të përfundojë gjatë këtij viti.

OECD thekson gjithashtu se ndërprerja e skemave të përkohshme të garancive sovrane, të krijuara gjatë pandemisë, ka ulur mbështetjen për kreditimin e bizneseve. Megjithatë, një zhvillim i rëndësishëm konsiderohet miratimi i ligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, e cila pritet të krijojë një mekanizëm të përhershëm për financimin afatgjatë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sipas raportit, pikërisht forcimi i skemave të garancisë së kredive dhe përmirësimi i regjistrimit të kolateralit mbeten dy nga prioritetet kryesore për të lehtësuar aksesin e bizneseve shqiptare në financim.

 

 

Shqipëria 6 Korrik Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat e huaja?

Dollari amerikan edhe pse jo me ndonjë ndryshim të ndjeshëm nga java që lamë pas ka regjistruar një rritje të lehtë të kuotës këtë mëngjes duke e nisur javën......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat