Shqipëria Postuar më 10 Gusht 2026, 10:55

Bizneset, detyrim për të deklaruar çdo vend të lirë pune - Drafti/ Shpallet paga për pozicion. Krijohet Pasaporta Digjitale e Punësimit

Nga Elisabeta Dosku

Bizneset, detyrim për të deklaruar çdo vend të lirë

Bizneset në vend por edhe institucionet publike do të përballen me rregulla të reja dhe me të ashpra të tregut të punës.

Draftligji i hedhur për konsultim publik për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për nxitjen e punësimit, synon të rregullojë marrëdhëniet në tregun e punës si dhe të nxisë përshtatjen midis ofertës dhe kërkesë. Kështu, referuar ndryshimeve, çdo punëdhënës do të ketë për detyrë të shpallë ose të njoftojë në institucionin përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, vendet e lira të paguara të punës nëpërmjet deklarimit në strukturat përkatëse rajonale/vendore të punësimit. Në çdo shpallje të vendit të lirë të punës, punëdhënësi duhet të bëjë publike intervalin e pagës për pozicionin e shpallur.

Gjithashtu, çdo punëdhënës ka detyrim të deklarojë dhe të përditësojë të dhënat që lidhen me marrëdhënien e punës së punonjësit.

Nga ana tjetër, çdo punëdhënës që largon nga puna një punonjës ka për detyrë të deklarojë sipas përcaktimeve ligjore largimin e punonjësve dhe ky informacion përcillet dhe tek zyra përkatëse e punësimit sipas vendbanimit të punonjësit. Informacioni i deklaruar përfshirë arsyen e largimit dhe kontakti i punonjësit, përcillet në mënyrë automatike tek institucioni përgjegjës për punësimin.

Në rast se punëdhënësit nuk bëjnë deklarimet përkatëse, do të përballen me gjoba sipas legjislacionit në fuqi.

Drafti po ashtu parashikon, krijimin e Pasaportës Digjitale të Punësimit dhe Aftësive si instrument kombëtar për dokumentimin, administrimin dhe verifikimin e informacionit mbi historikun e punësimit, profesionin, kualifikimet, aftësitë dhe përvojën profesionale të individit.

Parashikohet gjithashtu krijimi i bazës ligjore për funksionimin e Observatorit të Tregut të Punës dhe Aftësive si mekanizëm kombëtar i integruar për mbledhjen, shkëmbimin, përpunimin, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit mbi tregun e punës dhe zhvillimin e aftësive.

Përmes ndryshimeve, synohet zgjerimi i kategorive që përfshihen në Skemën e Garancisë sovrane, përfshihet për herë të parë kategoria e “nxënësit punëmarrës”, në mbështetje të zhvillimit të arsimit dhe formimit profesional në formën duale;  zgjerohet konceptin e punëkërkuesit duke përfshirë edhe shtetasit shqiptarë me vendbanim jashtë Republikës së Shqipërisë, duke krijuar mundësi më të mëdha për përfshirjen e diasporës në shërbimet dhe programet e punësimit si dhe u jepet më shumë akses shtetasve të huaj që hyjnë, qëndrojnë ose synojnë të qëndrojnë ligjërisht në Shqipëri për qëllime punësimi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat