Shqipëria Postuar më 25 Dhjetor 2025, 11:17

Bie në 105 mijë lekë dëmi mesatar nga sigurimet - AMF: Kompensimi mesatar, më i ulët në 2025. Kufitari, i vetmi me rritje

Nga Ledina Elezi

Bie në 105 mijë lekë dëmi mesatar nga sigurimet - AMF:

Tregu i sigurimeve ka shënuar një ulje të dëmit mesatar të paguar gjatë periudhës janar–nëntor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia vërehet si në sigurimin e jetës, ashtu edhe në sigurimet jo-jetë dhe sigurimin motorik.

Fillimisht, dëmi mesatar i paguar nga kompanitë e sigurimit për jetën dhe jo-jetën ka rënë nga 110 mijë lekë në vitin 2024 në 105 mijë lekë në 2025. Pra, vitin e kaluar, një dëm mesatarisht kompensohej me rreth 110 mijë lekë, ndërsa këtë vit kjo shifër ka zbritur në 105 mijë lekë. Edhe pse diferenca prej 5 mijë lekësh duket e vogël, ajo sinjalizon një drejtim të përgjithshëm ku pagesat po bëhen më të ulëta, ose dëmet e rënda janë pakësuar.

Te sigurimet e jetës, nga 98 mijë lekë një vit më parë, këtë vit vlera mesatare e një dëmi ka arritur në 96 mijë lekë. Kjo mund të tregojë se tregu i jetës nuk ka pasur ngjarje të forta që të kenë ndikuar në përmasën e dëmshpërblimeve.

Për sa i përket sigurmit motorik, dëmi mesatar ka zbritur nga 171 mijë lekë në 166 mijë lekë, një rënie e lehtë, që mund të vijë ose nga dëme më të vogla, ose nga një kontroll më i shtrënguar i kompensimeve.

Sigurimi me karton jeshil, pra për automjetet me targa të shqiptare që udhëtojnë jashtë vendit, ka pësuar rënie të madhe. Në 11 muaj, dëmi mesatar ka zbritur nga 969 mijë lekë në vetëm 584 mijë lekë. Kjo diferencë e fortë mund të lidhet me më pak udhëtime, më pak aksidente e të tjera.

Nga ana tjetër, sigurimi kufitar, që merret nga automjetet me targa të huaja që hyjnë Shqipëri, ka shfaqur trend të kundërt, dëmshpërblimi mesatar për këtë kategori është rritur ndjeshëm, duke u kthyer në një nga produktet me kosto më të lartë për kompanitë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat