Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2025, 10:53

Bie miti, të rinjtë po kërkojnë pronësinë mbi tokën! Mbi 81% e certifikatave në fshat janë në emër të burrave

Nga Elisabeta Dosku

Bie miti, të rinjtë po kërkojnë pronësinë mbi

Tradicionalisht, fshati është i “zotëruar” nga meshkujt dhe gratë kanë shumë pak apo aspak të drejta mbi tokën.

Të dhënat historike nga fazat e hershme të reformës së tokës tregojnë se vetëm 8% e grave kishin emrin në dokumentet e blerjes së tokës.

Ndërsa sipas një raporti të UN Women, pronësia e pronave të paluajtshme, duke përfshirë parcelat e ndërtimit, tokën bujqësore, pyjet dhe kullotat, aktualisht mbahet 18.5% nga gratë dhe 81.5% nga burrat.

Një studim i publikuar së fundmi “Mbi rolin e grave në zonat rurale në Ballkanin Perëndimor”, del në pah se në Shqipëri shumica e të anketuarve nuk zotërojnë ekskluzivisht tokë ose parcela bujqësore, dhe shumë  mbështeten në tokën në pronësi të të tjerëve.

Bashkëpronësia është më e zakonshme në mesin e atyre që punojnë në ferma, ndërsa individët në punë të tjera kanë më shumë gjasa të raportojnë se nuk zotërojnë tokë ose parcela bujqësore.

Bazuar në anketën e kryer për këtë studim, u zbulua se 1/3 e të anketuarve mbështesin të drejtat e barabarta të trashëgimisë.

Gratë që nuk janë pjesë e tregut të punës kanë më pak gjasa të pranojnë trashëgimi të barabartë, ndërsa gratë më të reja janë më të prirura ta pranojnë atë.

Për shembull, të anketuarit e përfshirë në bujqësi kanë tendencë të favorizojnë trashëgimi të barabartë, ndërsa ata në punë të tjera kanë preferenca të ndryshme. Praktika "Vetëm mashkulli do të trashëgojë" ka relativisht pak mbështetës, duke sugjeruar një largim nga normat tradicionale të trashëgimisë bazuar në gjini.

Ndryshimet kulturore që vijnë si pasojë e migrimit dhe distancave më të mëdha nga prindërit kanë ndikuar në perceptimet e të rinjve për trashëgiminë e tokës.  Referuar studimit të rinjtë kanë tendencë të mbështesin trashëgiminë e barabartë të tokës.

Gratë nga zona të largëta dhe të thella, që jetojnë në një familje me madhësi të vogël toke për frymë, me informacion të ulët mbi tokën, pa qasje në shërbimin e ekstensionit dhe që perceptojnë pabarazi në vendimmarrjen familjare, kanë më shumë gjasa të përjetojnë pabarazi në lidhje me të drejtat e tokës krahasuar me anëtarët meshkuj të familjes.

Qasja në asete është shumë e rëndësishme për të kuptuar fuqinë e grave përgjatë zinxhirit të vlerës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat