Shqipëria Postuar më 1 Shtator 2025, 13:47

“Besnikëria ndaj BE nuk vihet kurrë në dyshim” - Rama: Uroj të bien dakord edhe vendet anëtare për anëtarësimin

Nga Hamit Yzeiraj

“Besnikëria ndaj BE nuk vihet kurrë në dyshim” -

Me mesazhe të qarta bashkëpunimi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në edicionin e 20-të të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni. I ftuar në diskutime, kreu i qeverisë tha se besnikëria e Shqipërisë ndaj parimeve të Bashkimit Europian do të jetë gjithmonë e pranishme për rrugën e saj drejt BE-së.

“Është shumë e komplikuar, por dua të them se kur flas për vendin tim, gjërat janë shumë ndryshe. Për shembull, kryeministri slloven do të thoshte çfarë mendonte për Brukselin, sepse ai kishte diçka për të humbur, ndërsa ne jo. Kështu që duhet të jemi shumë të hapur, por përtej asaj që themi, besnikëria jonë nuk vihet kurrë në dyshim. Si europianë, duhet të jemi të lirë të shprehim mendimet tona, por kur ndjekim Europën, e bëjmë 100%. Nuk e kemi vënë kurrë në dyshim se kur flasim për besnikëri, jemi të vendosur dhe themi: ‘Jemi me ju deri në fund.’”

I pyetur nga moderatori Stjepan Oresković, sipërmarrës dhe president i IEDC Bled, lidhur me atë që mund të ofrojë Shqipëria Bashkimit Europian, Rama u përgjigj se shumica e vendeve anëtare duan një Bashkim më të fuqishëm.

“Mund të them se Europa është si një pacient me 27 mjekë. Të gjithë ata që janë pjesë e BE-së duhet të jenë të lumtur, sepse Bashkimi duhet të jetë më i madh. Patologët duhet të specializohen për pjesë të ndryshme, për të pasur një Bashkim të plotë që kujdeset për të gjithë organizmin e pacientit.”

Kryeministri shtoi se Europa është makineria më e madhe burokratike dhe administrative gjë e mire, por hartimi i tepruar i rregulloreve e bën zhvillimin e biznesit më të vështirë.

Diskutimi i plotë:

Komisionere për Zgjerim e Bashkimit Europian Marta Kos: Ne jemi gjithmonë në lëvizje në Këshill. Në 10 muajt e fundit kemi hapur më shumë grupkapituj se sa 5 vitet e fundit dhe kemi mbyllur më shumë grupkapituj se sa 10 vitet e fundit. Kemi çelur dy grup kapituj të tjerë për Shqipërinë këtë vit. Pra, kemi rënë dakord me Edin që do të festojmë së pari në Bruksel dhe vitin tjetër me ndeshjen e futbollit midis vendeve kandidate dhe shteteve anëtare në Tiranë dhe kuptohet që presidenti  i UEFA-s do të luajë me ne e po kështu dhe ca të tjerë. Me Malin e Zi dhe me ndihmën tuaj, faleminderit për këtë Andrej, po ecim përpara dhe është e mundur nëqoftëse përfundojmë në 2026 në aspektin teknik të bisedimeve në 2028 mund të kemi 28 anëtarët e BE dhe nëqoftë se Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer atëherë në 2029-ën mund të kemi 29 anëtarë.Megjithatë unë nuk është se kam shumë kohë, kam vetëm 4 vjet, kështu që shpejtoni.Po flisja për udhëheqjen dhe po ashtu siç thatë ju, unë jam e drejtuar drejt objektivit, por kemi bërë dhe këtë sondazh nga BE, popullsia shqiptare e mbështet anëtarësimin me 92%.

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi njerëz besnikë, kemi mbështetur Perandorinë Osmane me 92%, mbështetem Bashkimin Sovjetik me 92%, mbështetëm Kinën me 92% dhe tashmë juve. Dhe më e mira jonë është që dhe kur ata dështojnë ne vazhdojmë jemi me ta derisa të vijë dikush tjetër. Kështu që, kur të dështoni ju, ne do themi jemi BE. Pikë! Ashtu si ushtarët japonez në pyll.

***

- Dua t’ju pyes, Andrej dhe Edi, edhe pse nuk e kishit për qëllim në komentet tuaja, më sollët një mendim. Ndërkohë që ne takohemi në BLED, të tjerë takohen në Kinë. Ka një rend tjetër, po ta themi kështu, që po ngrihet dhe po ndodh një “festë dashurie” midis Putin, Xi, Modi dhe karaktere të tjera dhe nuk është se kjo bisedë ndodh në vakum. E natyrisht që edhe për këtë dritare, mund të mbyllet. Mund të mbyllet dhe më shpejtë se për katër vjet. Kështu që për t’ju kthyer asaj që ju thatë, reflektimeve në të ardhmen duke vendosur në këtë kontekst të gjerë gjeopolitik. Çfarë mund të bëhet për të përçuar mesazhin tek qytetarët tanë, qoftë të vendeve anëtare, por dhe të vendeve kandidate që ky aktualisht është një rajon që i shton vlerë sigurisë së Europës.

 

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, është më e fortë se mua, tani sepse përmendi Alaskën e duke qenë se mua më përndjek diçka që thashë këtu për Putinin dhe për zonat orare, mu kujtua diçka e Putinit që ka një qese biologjike mbetjesh, për të mbledhur e për t’i sjellë në shtëpi. Arsyeja është që ai mbledh prova që kudo vë këmbë aty ka qenë Rusia historike. E kuptoni? Dua t’i kthehem një sekondë, gjysmë shakasë dhe gjysmë së vërtetës të atij 92% tonë historik sepse është e vërtetë, por në të njëjtën kohë, kurrë nuk ka qenë zgjedhja jonë. Ne vërtetë kemi qenë pro të gjitha perandorive dhe perandoria e parë që përqafuam falë zgjedhjes tonë, ishte BE. Ne jemi mjaft të përkushtuar ndaj tij dhe meqë ra fjala, nuk besoj ka vend tjetër në Europë ku mund të zhvillosh një fushatë zgjedhore pikërisht me këtë premisë, me BE-në.

Arsyeja pse fituam kaq thellë këtë herë, mendoj, ishte shumë e lidhur me zotimin e BE-së dhe thirrjes për të gjithë njerëzit të mblidheshin rreth flamurit për ta sjellë këtë flamur në BE.

Pak më parë isha në një sallë tjetër, në një bisedë tjetër dhe dikush nga Sllovenia më tha që ‘’po ecni shumë mirë po kujdes nga ajo që dëshironi sepse ne jemi në BE dhe nuk është se po ecën fort mirë për ne’’. Unë iu përgjigja: “dëgjo, jeni në një pozitë kaq të mirë në Slloveni, që nëse shohim të gjithë listën e gjërave që ju keni dhe ne duam t’i kemi, është e jashtëzakonshme, por ka një gjë në listë, ku në fakt, ju mundim, është optimizmi. Ju jeni shumë të depresionuar këtu, sepse është kaq e përsosur, kaq bukur dhe keni frikë që po të dalë ndonjë që të prekë diçka, do të bëjë dëm, ndërkohë që në Shqipëri ka kaq shumë gjëra që na duhet të vazhdojmë t’i përmirësojmë e t’i përshtatshim saqë është pyetja tashmë e dytë për atë që ju bëtë, për atë që po ndodh në Kinë dhe këtu vjen pjesa që nuk ka të bëjë me negociatat tona por ka të bëjë me mua si europian, si europian i lirë.

Unë mendoj që Europa duhet të ishte atje. Unë mendoj që Evropa duhet të jetë kudo ku bota takohet dhe nuk është vetëm Europa por i gjithë perëndimi kolektiv deri ca kohë më parë, para se të ndodhte ndryshimi në Amerikë, pra duhet të heqë dorë t’u imponojë të tjerëve mënyrën e vet të jetesës. Ajo çfarë duhet të bëjmë, është të mbrojmë mënyrën tonë të jetesës nga të tjerët, por pa përzgjedhur miqtë apo ata me të cilët duam të flasim, bazuar në mënyrën e tyre të jetesës sepse meqë ra fjala, unë përfaqësoj një vend që qëndron plotësisht krah Ukrainës dhe mendoj, vendi i vetëm në Europë që qysh prej rënies se Murit të Berlinit, nuk ka bërë asnjë vizitë në Rusi apo të ketë patur ndonjë të ftuar nga Rusia. Askush nuk mund të thotë që ka ndonjë lloj paqartësie ,por besoj që Evropa nuk duhet të presë se çfarë do të ndodhë më pas në anën tjetër të oqeanit me Planin e Paqes. Europa është përmbi të gjitha paqe, është kultura e paqes, është paqja në kulturë.

Sigurisht qe duhet të mbrohemi, sigurisht që duhet të përmirësojmë mbrojtjen, sigurisht që nuk duhet të mbështetemi tek të tjerët. Por si i bëhet që nuk kemi ende një plan? Për çfarë po presim? Presim lëvizjen tjetër? Kështu që Viktor Orban është një figurë mjaft e diskutueshme, një mik mjaft i mirë, e çmoj shumë Antonion, çmoj shumë Viktorin, çmoj shumë zotërinjtë këtu dhe nuk e mbështes vlerësimin tim mbi masën sa bie dakord me dikë ose jo, por sa thellë shkon biseda dhe kur përmendi armëpushimin pak kohë më parë, u trajtua si murtajë, si mbetje biologjike, por ndërkohë që dikush tjetër, nga ana tjetër e oqeanit përmend armëpushimin, atëherë Europa zbulon që paska dhe një armëpushim, por është shumë vonë. Pra askush nuk do të vijë prapa. Çfarë presim ne tani? Presim që dikush të gjejë diçka tjetër dhe pastaj ta gjejmë veten përpara faktit të kryer dhe të izolohemi dhe më tej nga të tjerët?

Për ta përmbyllur, një mik shumë i dashur i të gjithëve ne nga tjetër vend jashtë Europës, në Lindjen e Mesme, më pyeti; “a keni numëruar sa miq kishit para luftës dhe sa keni tani ndërkohë që lufta vazhdon”? dhe kjo është një pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes sepse nuk kemi asnjë arsye për të mos qenë proaktivë në të gjitha forcat që ekzistojnë dhe që të mos kemi siç tha dhe Antonio, marrëveshjet tona, komunikimet tona dhe kur bëhet fjalë për zgjerimin, çfarë zgjerimi është që të marrësh Malin e Zi?  Edhe po ta marrë Shqipëria, nuk është zgjerim, është nga shumë e vogël, në i vogël. Çfarë zgjerimi është që ta bësh Shqipërinë pjesë? Ç ‘zgjerim është ky?

Nëqoftëse BE zgjerohet me ne, bëhet më e fortë, bëhet më kompakte. Pse? Sepse nuk lë një pjesë të organizmit të vet hapur, që të hyjnë mikrobet, viruset, infeksionet e kështu me radhë dhe ky është kyçi. Nëqoftëse nesër gjërat shkojnë në një drejtim tjetër, kjo do të jetë një plagë e hapur në zemër të Europës, ndërkohë që nëqoftëse jemi brenda, jemi thjeshtë duke mbyllur një hapësirë, një hapësirë shumë e vogël që mund të bëhet një problem i madh. Jemi i vetmi realitet, besoj, në historinë e gjeografisë, - po flas gjatë si italianët, - jemi i vetmi realitet në historinë e gjeografisë që kemi dy kufij, Bashkimi Europian ka dy kufij, një kufi të jashtëm si çdo kush tjetër dhe një kufi të brendshëm dhe brenda këtij kufirit të brendshëm jemi unë edhe ai. Tani, ç ‘zgjerim është ky? Mbylleni këtë kufi të brendshëm. Treg i përbashkët, pra hyrja jonë, po bëni sikur hyrja jonë në tregun e përbashkët do të ishte Kina apo dikush tjetër që kërcënon Europën, ndërkohë që përveç të tjerave sjellim edhe argëtim, optimizëm, rini, dëshirë për jetë, e dëshira për martesa. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat