Shqipëria Postuar më 2 Gusht 2025, 11:37

Besimi në ekonomi, turizmi dhe tregtia faktorët më nxitës - BSH: Vlerësimi pozitiv për shkak të pritshmërive nga sezoni veror

Nga Ledina Elezi

Besimi në ekonomi, turizmi dhe tregtia faktorët më nxitës -

Besimi në ekonomi rezulton të jetë përmirësuar gjatë muajit korrik. Sipas vrojtimit të përmuajshëm të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 2.9 pikë, ndikuar kryesisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve, tregtisë dhe industrisë.

Konkretisht, treguesi i besimit në shërbime u ngrit me 6.2 pikë përqindje në korrik. Bizneset në sektorin e shërbimeve kanë dhënë vlerësime më pozitive për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin aktual të kërkesës, kryesisht për shkak të sezonit turistik veror. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Edhe treguesi i besimit të industrisë u rrit me 0.8 pikë përqindje, ndikuar nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për kontratat porositëse.

Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve në ekonomi ka regjistruar një rënie me 0.9 pikë përqindje. Qytetarët e shohin me pesimizëm situatën e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen. Gjithashtu, ata kanë pasur më pak mundësi që të bëjnë blerje në shuma të mëdha gjatë korrikut.

Treguesi i besimit në ndërtim është tkurrur me 1 pikë përqindje. Rënia e këtij treguesi erdhi kryesisht nga vlerësimet më pesimiste për aktivitetin aktual ndërtues, por edhe për pritjet më të ulëta për kontratat porositëse.

Ndërkohë, besimi në tregti u rrit me 3.3 pikë përqindje në korrik. Në rritjen e këtij treguesi ndikuan kryesisht pritjet pozitive të bizneseve për punësimin në të ardhmen dhe më pak ecuria aktuale e aktivitetit të tyre.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat