Shqipëria Postuar më 3 Qershor 2026, 10:57

Belgjika konfirmon hapjen e ambasadës në Tiranë - Prévot: Shqipëria po avancon me sukses drejt BE-së

Nga Edel Strazimiri

Belgjika konfirmon hapjen e ambasadës në Tiranë - Prévot:

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke njoftuar njëkohësisht se Belgjika do të hapë ambasadën e saj në Tiranë, si dëshmi e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pas takimit të zhvilluar në Bruksel me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Prévot ndau në rrjetet sociale mesazhin e tij pozitiv për bashkëpunimin shqiptaro-belg. Ai kujtoi lidhjen e hershme të Hoxhës me kryeqytetin belg, ku ka shërbyer më parë si ambasador i Shqipërisë.

Kryediplomati belg theksoi se hapja e ambasadës së Belgjikës në Tiranë përfaqëson një hap konkret drejt zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh dhe një tregues të vlerësimit që Brukseli i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë.

Prévot përshëndeti gjithashtu marrjen nga Shqipëria të raportit IBAR, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, ky zhvillim e vendos vendin në fazën finale të negociatave dhe dëshmon progresin e arritur në procesin e reformave.

Megjithatë, ai nënvizoi se puna duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor, garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas Prévot, procesi i anëtarësimit mbështetet te meritat dhe Shqipëria po tregon se është në gjendje të përmbushë standardet e kërkuara.

Gjatë bisedimeve, dy ministrat trajtuan edhe çështje që lidhen me bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar. Në fokus ishte gjithashtu roli i Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Në përfundim, Prévot shprehu interesin për të vizituar Tiranën vitin e ardhshëm, kur pritet të inaugurohet zyrtarisht ambasada belge në Shqipëri.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat