Shqipëria Postuar më 30 Mars 2026, 13:09

Beja: Doganat drejt inteligjencës artificiale, 112 masa ndaj subjekteve të hidrokarbureve

Nga Edel Strazimiri

Beja: Doganat drejt inteligjencës artificiale, 112 masa ndaj subjekteve

Administrata doganore po orienton punën drejt përdorimit të inteligjencës artificiale dhe analizës së riskut për të luftuar kontrabandën dhe fenomenet e paligjshme. Kështu u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, duke theksuar se synimi është kalimi nga kontrollet reaktive në një administratë parashikuese, të bazuar në të dhëna dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, transformimi digjital do të mundësojë analizimin më të saktë të deklaratave doganore, sjelljeve tregtare dhe të dhënave logjistike, duke reduktuar kontrollet e panevojshme dhe duke rritur efikasitetin në mbledhjen e detyrimeve.

Ndërkohë, Beja bëri të ditur se gjatë një aksioni të përbashkët me administratën tatimore për kontrollin e tregtimit të produkteve energjetike, janë inspektuar 58 subjekte në të gjithë vendin, nga të cilat janë vendosur 112 masa administrative.

Kontrollet janë shtrirë në disa qytete, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin dhe Vlorën, ku janë evidentuar një sërë shkeljesh. Një nga problematikat kryesore ka qenë mungesa e pajisjeve matëse të kalibruara, pasi 43 nga subjektet e kontrolluara nuk i dispononin ato, duke vështirësuar verifikimin e saktë të volumit të produkteve.

Beja theksoi se administrata doganore do të vijojë bashkëpunimin me institucionet përkatëse për të adresuar këto problematika dhe për të forcuar kontrollin në tregun e hidrokarbureve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat