Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2026, 15:40

“BE të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor” - Rama nga Samiti: BE duhet të jetë më e guximshme për zgjerimin

Nga Ledina Elezi

“BE të përshpejtojë integrimin e Ballkanit

Kryeministri Edi Rama kërkon që BE-ja të tregojë më shumë guxim politik dhe të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i përfshirë ato gradualisht në strukturat evropiane edhe para anëtarësimit të plotë.

Në fillim të Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, ai solli si shembull bashkimin e Gjermanisë, duke argumentuar se BE-ja duhet t’i trajtojë vendet kandidate si pjesë të familjes europiane ndërsa ato vazhdojnë reformat.

“Besoj që Evropa mbi të gjitha për vetveten duhet të jetë më e guximshme, duhet të ruajë procesin e bazuar në meritë, duhet të shkojë në drejtimin e integrimit gradual, por duhet të gjejë këllqet për një moment të ri të llojit Helmut Kohl. Kur Muri ra ky njeri i madh nuk ju tha gjermano-lindorëve tani keni 35 kapituj për t’i përfunduar përpara se të bëhemi bashkë. Jo, ai tha ne jemi bashkë dhe pastaj do t'ju ndihmojmë që ju t’i përmbushni. Pra, në qoftë se BE kërkon t’i përçojë botës një mesazh shumë të fortë dhe t’i japë vetes energji të mëdha, duhet të thotë që kështu siç jemi sot rreth tryezës, duhet të jemi gjithmonë rreth kësaj tryeze, por gjithsecili me statusin e vet derisa të bëhemi anëtarë më të drejta të plota”, tha Rama.

I pyetur edhe për protestën qytetare që po zhvillohet për anulimin e projektit të Jared Kushner në Zvërnec, Rama u shpreh edhe një herë se projekti nuk është përgatitur akoma, ndaj nuk ka ende diçka për të diskutuar.

“Nuk ka kërkesa për të diskutuar, sepse nuk ka ende një projekt të miratuar. Kështu, së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim projektin dhe pastaj ta diskutojmë projektin. Nuk diskutojmë dot diçka që nuk ekziston”, theksoi Kryeministri.

Integrimi gradual i Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja evropiane e rajonit mbeten në qendër të diskutimeve të samitit në Tivat.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat