Shqipëria Postuar më 25 Mars 2025, 10:46

BE “lëshon” fondet e para për Shqipërinë: 922 mln euro nga Plani i Rritjes i Ekonomike deri në 2027. Pagesat, 2 herë në vit

Nga Ledina Elezi

BE “lëshon” fondet e para për Shqipërinë: 922

Shqipëria është vendi i dytë, të cilit i hapet rruga për të përfituar financimet e para nga Plani i Rritjes Ekonomike. Pas përgatitjes së suksesshme të Agjendës së Reformave, Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë që mori parafinancimin e parashikuar në Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Deri në vitin 2027, Shqipërisë pritet t'i shpërndahen 922 milionë euro nga Plani i Rritjes Ekonomike. Sipas planit fillestar, për 2024, vendi ynë parashikohej të merrte 76 milionë euro kredi dhe grante nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që përgjatë këtij viti financimi llogaritej në 279 milionë euro. Në 2026-ën, Shqipëria do të marrë shumën më të lartë në kredi dhe grante, konkretisht 314 milionë euro, ndërsa në 2027-ën, vetëm 251 milionë euro.

Plani i Rritjes Ekonomike, i cili u miratua në prill të 2024 përfshinte si parakusht për përfitimin e financimit, përgatitjen e një agjende kombëtare reformash. Lëshimi i çdo fondi do të varet nga progresi në zbatimin e masave të përfshira në Agjendat e Reformës.

Por, cilët janë sektorët që do të mbështeten me më shumë financim?

Shumica e fondeve do të shkojnë për reformat në drejtësi, ndjekur më pas nga përmirësimi i klimës së biznesit, fuqizimin e kapitalit njerëzor, energjia dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe zhvillimi i teknologjisë.

Në total, vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë 6 miliardë euro nga kjo paketë, ndërsa Serbia dhe Bosnje Hercegovina janë 2 shtetet që do të marrin më shumë kredi dhe grante. Konkretisht, shteti serb do të përfitojë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Kosova thuajse 888 milionë euro, ndërsa Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi do t'i jepen përafërsisht 807 milionë dhe 383.5 milionë euro.

Të paktën 50% e shumës totale (grante dhe kredi) do të shkojnë për investime përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ndërsa shuma e mbetur e kredive do t'i shpërndahet direkt qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni Evropian të përmbushjes së kushteve përkatëse të pagesës, parakushteve dhe kushteve të përgjithshme, si stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.

Në rast se kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni Evropian do të pezullojë ose do të zbresë një shumë përkatëse nga pagesa. Shteti i Ballkanit Perëndimor do të ketë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet mes të tjerëve në vitet në vijim.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat