Shqipëria Postuar më 1 Gusht 2025, 11:06

BE, gati të financojë një program të ri për Shqipërinë - Nga lufta kundër korrupsionit, te siguria ushqimore. Ku do të shkojnë 67.3 mln euro?

Nga Ledina Elezi

BE, gati të financojë një program të ri për

Në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), Bashkimi Evropian do t'i ofrojë Shqipërisë 67.3 milionë euro për mbështetjen e luftës kundër korrupsionit, qeverisjen vendore, sigurinë ushqimore, pyjet, punësimin dhe përfshirjen sociale.

Shumica e fondeve të këtij programi të ri do të shkojnë për luftën ndaj korrupsionit. Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, 38.5 milionë euro do të jepen për të ndihmuar autoritetet përkatëse shqiptare, duke përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK), Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), si dhe autoritete të tjera, në përmbushjen e roleve të tyre specifike lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe ruajtjen e besimit publik.

Së dyti, 10 milionë euro i kushtohen përmirësimit të qeverisjes vendore dhe zhvillimit socio-ekonomik lokal. Një ndër synimet e këtij veprimi është zhvillimi i një skeme grantesh që mbështet financiarisht bashkitë për të zhvilluar cilësinë dhe aksesin në infrastrukturën dhe shërbimet publike bashkiake nëpërmjet investimeve kapitale.

Ndërkohë, rreth 12.5 milionë euro ofrohen për sigurinë ushqimore, duke mbështetur institucionet shqiptare në përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe praktikave më të mira në fushën e sigurisë ushqimore, politikave veterinare dhe fitosanitare. Po ashtu, kjo do të arrihet nëpërmjet përmirësimeve të infrastrukturës fizike (laboratori dhe zyrat rajonale), si dhe forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve administrative në këtë sektor.

Nga ana tjetër, mbrojtja e mjedisit do të marrë 13 milionë euro. Në këtë fushë synohet që të përmirësohen kapacitetet administrative dhe përputhja e kuadrit ligjor në sektorin pyjor në Shqipëri me acquis-në e BE-së, por edhe rritja e mbulimit pyjor apo kapaciteteve të thithjes së karbonit për Shqipërinë.

Gjithashtu, 28 milionë euro do të jepen për përmirësimin e arsimit, trajnimit dhe integrimit në tregun e punës, në veçanti për kategoritë e disavantazhuara, ata me ndihmë ekonomike, romët, emigrantët. Ndër të tjera, synohet të ofrohen programe më të rëndësishme të arsimit dhe formimit profesional.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat