Shqipëria Postuar më 4 Prill 2026, 14:04

“BE do që të na marrë brenda vetes” - Rama: Shqipëria ka fituar respekt dhe besim nga ata që nuk na respektonin

Nga Elisabeta Dosku

“BE do që të na marrë brenda vetes” - Rama:

Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Socialiste të njësisë 12 në kryqytet, kryetari i kësaj partie, njëkohësisht kryeministër, Edi Rama u shpreh se Bashkimi Europian do që të na marrë brenda vetes dhe kjo është e jashtëzakonshme dhe një moment konkret. Sipas tij, tani duhet të bëjmë deri në fund atë që kemi në dorë.

“Ne na duhet të bëjmë maksimumin që dera e hapur të mbyllet vetëm pasi ne të kemi hyrë brenda. Ne vazhdojmë punën tonë, kemi detyrat sipas kalendarit që kemi dakordësuar dhe na e kanë vënë ata përpara kalendarin, nuk e kemi vënë ne, se ne s’vëmë dot kalendar, na e vënë ata. Dhe unë e kam shpjeguar gjerë e gjatë edhe në fushatë. Po tani është konkrete. Ata na e kanë vënë përpara dhe na kanë thënë: “po i bëtë 1, 2, 3, 5, 200, 300 – se janë më shumë se 4 000 ato që duhen bërë – deri në fund të 2027-s, ne do të mbyllim negociatat”, tha Rama.

Sipas Ramës, rruga e negociatave është e gjatë.

“Mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian do të thotë “të mbyllësh hesapet me katin e parë”, sepse “ka dy kate Bashkimi Europian”. Në katin e parë është Brukseli dhe janë të gjitha zyrat dhe të gjithë nëpunësit që merren me reformat, ndjekin të gjitha masat, ndjekin gjithë veprimet që ndodhin dhe bëjnë raportin për “katin e dytë”. Ata raportojnë vetëm se si ka ecur puna apo a janë bërë detyrat dhe pastaj në “katin e dytë” janë vendet anëtare, janë 27 vende që ulen për të marrë vendim dhe mënyra si funksionon në “katin e dytë” është konsensusi. Mjafton që një vend të thotë “nuk duam” dhe vendimi nuk merret, jo vetëm për ne, por për çdo gjë. Çdo vendim i Bashkimit Europian merret me konsensus. Por ajo që është ndryshe sot është që të gjitha vendet në “katin e dytë” thonë “duam ta marrim Shqipërinë në BE”. Dhe në të gjitha rastet kur letrat kanë shkuar nga “kati i parë” në “katin e dytë”, ata kanë thënë “OK”; prandaj ne kemi hapur gjithë kapitujt e negociatave për 11 muaj. Asnjë vend nuk e ka bërë këtë më pare”, tha Rama.

Sipas Edi Ramës, Shqipëria është në një pozicion komplet tjetër nga ai që kishte, duke fituar respekt dhe besim nga ata që as na respektonin dhe as na besonin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat