Shqipëria Postuar më 12 Dhjetor 2025, 10:47

BE, 100 milionë euro për Shqipërinë deri në 2027 - IPA III, fondi me fokus te drejtësia, ekonomia dhe tranzicioni i gjelbër

Nga Diamila Leka

BE, 100 milionë euro për Shqipërinë deri në 2027 - IPA

Bashkimi Evropian do të financojë Shqipërinë me një fond prej 100 milionë eurosh për periudhën 2025–2027, në kuadër të programit IPA III. Marrëveshja financiare, e publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikon se Shqipëria, pranon mbështetjen e BE-së për të vijuar reformat kyçe në vend.

Sipas dokumentit zyrtar, 33.5 milionë euro do të disbursohen menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet në dy vite, 2026 dhe 2027, në varësi të miratimit të buxhetit vjetor të BE-së.

Programi fokusohet në tre fusha kryesore. Ku fusha e parë ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, duke mbështetur vazhdimësinë e reformës në drejtësi, forcimin e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe rritjen e efikasitetit dhe pavarësisë së tyre. BE synon të konsolidojë progresin e deritanishëm dhe të mbështesë Ministrinë e Drejtësisë në rritjen e kapaciteteve të saj.

Fusha e dytë lidhet me qeverisjen e mirë dhe përputhjen me acquis të BE-së, ku theksi vendoset te menaxhimi i financave publike, prokurimi, auditimi i jashtëm dhe statistikat. Objektivi është krijimi i institucioneve më të forta dhe transparencë më e lartë fiskale. Ndërsa fusha e tretë përfshin agjendën e gjelbër, lidhshmërinë e qëndrueshme dhe konkurrueshmërinë ekonomike, në përputhje me Ligjin e BE-së për Lëndët e Para Kritike. Programi synon të rrisë rolin e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në zinxhirët strategjikë të furnizimit të BE-së.

Ky financim vjen në një moment ku Shqipëria ka intensifikuar përpjekjet për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian dhe për të zbatuar reformat e nevojshme për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave. Komisioni Europian do të njoftojë çdo vit angazhimet e reja financiare, ndërsa autoritetet shqiptare pritet të avancojnë zbatimin e projekteve që lidhen me drejtësinë, ekonominë dhe tranzicionin e gjelbër.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat