Shqipëria Postuar më 25 Qershor 2025, 11:34

Bashkitë nisin vitin me borxhe në rritje - Stoku i detyrimeve arrin në 42 milionë euro. Si renditen në listë?

Nga Elisabeta Dosku

Bashkitë nisin vitin me borxhe në rritje - Stoku i detyrimeve arrin

61 bashkitë në vend kanë akumuluar një stok detyrimesh ndaj bizneseve dhe qytetarëve në vlerën e 4.2 miliardë lekëve apo 42 milionë eurosh deri në Mars të këtij vitit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ajo që vihet re është se ka një rritje  të borxheve prej 9 milionë eurosh në raport me Dhjetorin 2024, ku stoku regjistrohej në 33 milionë euro.

Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut megjithëse ka pasur ecuri prozitive në dy vitet e fundit, sërish ka luhatje të herëpashershme nga një tre mujor në tjetrin. Edhe pse qëllimi është që stoku i detyrimeve të prapambetura të zerohet totalisht.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga  totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve 1 miliardë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, 595 milionë lekë për shërbime,  rreth 995 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 1 miliardë lekë shpenzime të tjera.

Por a ka ndryshuar renditja e bashkive që kanë më shumë detyrime dhe cilat janë ato që kryesojnë? Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.

Konkretisht në vendin e parë renditet bashkia Tiranë, e cila ka lënë pas Bashkinë Kavajë që kryesonte deri në Dhjetor.  Tirana rezulton me një vlerë detyrimesh në rreth 1.3 miliardë lekë, duke pësuar rritje të konsiderueshme nga dhjetori 2024.

Më pas renditet bashkia Kavajë me 753  milionë lekë borxhe,  ndjekur nga  bashkia Pogradec me 254 milionë lekë, më pas vjen bashkia Dimal me 169 milionë lekë dhe Rrogozhinë me 161 milionë lekë, duke ia lënë radhën Vorës, Dibrës dhe Cerrikut. 

Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Sarandë, Malësi e Madhe, Korçë,  Has, dhe listën e mbyll Librazhdi.

Bashkitë kanë pasur si detyrim që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për shlyerjen e stokut të detyrimeve dhe ti përmbahen atij.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat