Shqipëria Postuar më 23 Gusht 2025, 10:50

Bashkitë mbledhin 227 milionë euro - Më pak të ardhura në 7 mujor, rritje e lartë në një dekadë

Nga Elisabeta Dosku

Bashkitë mbledhin 227 milionë euro - Më pak të ardhura

61 bashkitë në vend kanë mbledhur afro 22,7 miliardë lekë apo 227 milionë euro në 7 muajt e parë të vitit.  Të dhënat zyrtare të financave tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë të ardhurat e pushtetit lokal regjistrohen më rënie në rreth 18 milionë euro.

Ndikimin kryesor në këtë performancë e ka rënia e të ardhurave nga taksat lokale me afro 20 milionë euro.

Megjithatë nëse do të marrim në analizë të njëjtën periudhë të dekadës së fundit vihet re një rritje progresive e të ardhurave nga pushteti vendor, dhe 3 -fishim nga viti 2015-ë, kur të hyrat regjistroheshin në 73 milionë euro. 

Të ardhurat nga pushteti vendor, të cilat përfshijnë taksa lokale, si taksa mbi pasurinë dhe taksa mbi biznesin e vogël, mbeten të varura në masë të madhe nga transfertat buxhetore të shtetit. Kjo varësi është një tregues i pafavorshëm për buxhetin lokal, pasi autoritetet vendore shpesh nuk kanë mundësi të krijojnë burime të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e nevojshme lokale.

Po ashtu, performanca e pushtetit vendor, e cila mbështetet kryesisht në transfertat nga buxheti i shtetit, ka pasur limite në lidhje me autonominë financiare dhe mbështetjen e pensioneve dhe shërbimeve sociale në nivel lokal. Rritja e këtyre të ardhurave, veçanërisht nga taksat lokale, është shumë e varur nga politikat fiskale dhe ekonomike të qeverisë qendrore, dhe shpesh këto transferta nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar kërkesat e rritura për pensione.

Ndërkohë, decentralizimi fiskal si raport i shpërndarjes së të ardhurave ndërmjet dy niveleve të qeverisjes vazhdon të mbetet akoma shumë i ulët.

Referuar raportit vjetor të financave vendore, dy burimet kryesore që furnizojnë bashkitë janë taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa e ndërtesave.

Rritjen më të madhe në burimet e të ardhurave të veta të pushtetit vendor e ka “taksa e ndikimit në infrastrukturë”.  Në këtë burim peshën më të madhe me 77.4% e zë bashkia Tiranë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat