Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2026, 11:25

Bashkitë, 31 milionë euro borxhe — 6-mujori/ Kryeson Kavaja, pa detyrime Pusteci dhe Këlcyra

Nga Elisabeta Dosku

Bashkitë, 31 milionë euro borxhe — 6-mujori/ Kryeson Kavaja, pa

Ndërsa reforma e re administrativo-territoriale ka ngjallur shumë diskutime për shkak se synon të shkrijë 15 bashki në shkallë vendi, një ndër elementët që merren në konsideratë për përcaktimin e njësive që do të dalin nga harta janë edhe detyrimet e prapambetura, apo fuqia e tyre financiare.

Por si renditen 61 bashkitë në vend sa i takon detyrimeve të akumuluara?

Gjysma e parë e vitit është mbyllur me një stok detyrimesh ndaj bizneseve dhe qytetarëve nga ana e bashkive në vend, në vlerën e 3.1 miliardë lekëve apo 31 milionë eurosh.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ajo që vihet re se stokut ka qëndruar thuajse në të njëjta nivele me fundin e  Marsit 2026, ndërsa në raport me Dhjetor 2025 ku stoku ishte 2.9 miliardë lekë, vihet re një rritje e lehtë me 300 milionë lekë.

Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut megjithëse ka pasur ecuri pozitive në dy vitet e fundit, sërish ka luhatje të herëpashershme nga një tre mujor në tjetrin. Edhe pse qëllimi është që stoku i detyrimeve të prapambetura të zerohet totalisht.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga  totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve 1.2 miliardë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, 506 milionë lekë për shërbime,  rreth 363 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 658 milionë lekë shpenzime të tjera.

Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë.

Konkretisht në vendin e parë renditet bashkia Kavajë e cila rezulton me një vlerë detyrimesh prej 719 milionë lekë.

Më pas renditet bashkia Tiranë me 282 milionë lekë detyrime, bashkia Pogradec me 227 milionë lekë borxhe, ndjekur nga  bashkia Dimal me 144 milionë lekë, më pas vjen bashkia Cërrik me 141 milionë lekë dhe Vorë me 139 milionë lekë, duke ia lënë radhën Rrogozhinës, Divjakës dhe Dibrës. 

Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Vlorë, Pustec dhe Këlcyrë.

Bashkitë kanë pasur si detyrim që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për shlyerjen e stokut të detyrimeve dhe ti përmbahen atij.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat