Shqipëria Postuar më 13 Nëntor 2025, 14:39

Bashkëpunim strategjik me Italinë në 10 sektorë - Firmosen marrëveshjet. Nga energjia, inovacioni tek industria e sigurisë dhe mbrojtjes

Nga Elisabeta Dosku

Bashkëpunim strategjik me Italinë në 10 sektorë - Firmosen

Shqipëria dhe Italia kanë nisur bashkëpunimin strategjik në fushat e kujdesit shëndetësor, energjisë, mjedisit, industrisë së sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimit të migracionit, arsimit, inovacionit, diasporës, transformimit ekonomik dhe rritjes së zgjuar. Pas ceremonisë pritëse të kryeministrit Edi Rama  dhe kabinetit qeveritar nga Kryeministrja Giorgia Meloni, qeveritë e dy vendeve kanë zhvilluar  për herë të parë mbledhjen e përbashkët Shqipëri–Itali, në Romë, pas së cilës  është nënshkruar dhe shkëmbimi i marrëveshjes se bashkëpunimit midis shteteve nga të dy kryeministrat.

Kjo mbledhje shënon nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Rreth një muaj më parë, qeveria shqiptare miratoi në parim një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për të paktën 10 sektorë.

Në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji dhe në Shqipëri do të ndërtohet infrastrukturë detare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve, si dhe zbatimin e nismave të trajnimit teknik dhe profesional.

Në sektorin e energjisë, po punohet për zgjerimin e bashkëpunimit bazuar në marrëveshjen trepalëshe midis Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe një ndërlidhje nën detare për energjinë e rinovueshme që lidh Italinë dhe Shqipërinë.

Duke iu referuar migracionit, do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër imigracionit të paligjshëm dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë. Paralelisht, është arritur një marrëveshje për të krijuar një "Sistem të Mbrojtjes Civile" në Shqipëri për transferimin e ekspertizës profesionale. Referuar kujdesit shëndetësor, të dy vendet do të përqendrohen në shëndetin e nënës dhe të porsalindurit në Shqipëri, me ndërtimin e një departamenti neonatologjie në Spitalin Publik “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Vëmendje e madhe do t'i kushtohet gjithashtu zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, falë marrëveshjes kuadër që njeh zyrtarisht Cassa Depositi e Prestiti në Shqipëri si një institucion financiar zhvillimi. Kjo do të forcojë më tej bashkëpunimin dypalësh ekonomik dhe infrastrukturor, duke përfshirë edhe mbështetjen teknike italiane për themelimin e Bankës së re Shqiptare të Zhvillimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat