Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2025, 12:45

Bartja e numrit të telefonit, si pritet të bëhet në vijim? - AKEP: Rimbursim për kreditet e papërdorura dhe vonesat në portimin e operatorit

Nga Ledina Elezi

Bartja e numrit të telefonit, si pritet të bëhet në vijim? -

Afate më të shkurtra për ndërrimin e operatorit të numrit apo rimbursim të krediteve të papërdorura, janë disa nga risitë që synohet t'i shtohen zbatimit të portabilitetit të numrit. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar për këshillim publik një projekt-rregullore të re për zbatimin e portabilitetit të numrit. 

Në periudhën 2020-2024 është vënë re një rritje ndjeshme e numrit të ankesave të qytetarëve të lidhura me ndërrimin e kompanisë celulare, por duke ruajtur numrin, si dhe një rritje e përqindjes së kërkesave të refuzuara nga operatorët celularë. Për rrjedhojë, AKEP ka vendosur të bëjë disa ndryshime të reja.

Nëse qytetari e ka ndërruar operatorin dhe ka sërish dëshirë që ta ndërrojë e të marrë shërbimet e operatorit të mëparshëm, ai mund ta bëjë këtë vetëm pas 3 muajsh që ka bërë ndërrimin e fundit të operatorit të numrit. AKEP propozon që edhe ata persona të cilët e kanë ndërruar kompaninë celulare për herë të parë ose i është çaktivizuar numri, të presin 3 muaj para se të bëjnë një ndërrim të ri.

Qytetari që ka ndërruar kompaninë me të cilën e ka numrin, ka të drejtë të kërkojë rimbursim për kreditin e papërdorur nga kompania e mëparshme celulare. Fillimisht, ai duhet të dorëzojë një kërkesë brenda 14 ditëve nga data e ndërrimit të kompanisë celulare.

Pas marrjes së kërkesës, operatori duhet të vendosë në dijeni qytetarin brenda 3 ditëve pune mbi sasinë e kreditit të rimbursueshëm, tarifat administrative dhe mënyrat e mundshme të rimbursimit.

Kompania celulare mund të aplikojë një tarifë prej 500 lekësh me TVSH për realizimin e rimbursimit. Rimbursimi duhet të përfundojë brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës, tarifë e cila zbret nga shuma e kreditit që do të rimbursohet.

Ndërkohë, ndërrimi i kompanisë celulare duhet të përfundojë brenda 1 dite pune. Kompania celulare ka detyrim të kompensojë pajtimtarin për vonesat ose abuzimet e kryera në procesin e portimit të numrit.

Në vitet e fundit është vënë re një reduktim i ndjeshëm i sasisë së numrave të portuar dhe në vitin 2024 u portuan 19,452 numra celularë dhe 173 numra fiks, që përbën një reduktim me 50% të portimeve në krahasim me vitin 2023, si dhe nivelet më të ulëta historike të sasisë vjetore të numrave të portuar prej fillimit të zbatimit të portabilitetit të numrit në Shqipëri.

Bartja e numrit të telefonit, si pritet të bëhet në vijim? -

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat