Shqipëria Postuar më 9 Maj 2025, 14:22

Bankingu në shtëpi “merr hov” në 2025 - BSH: Rreth 22.5% më shumë veprime bankare përmes telefonit se në 2024

Nga Ledina Elezi

Bankingu në shtëpi “merr hov” në 2025 - BSH: Rreth

Shqiptarët po kryejnë gjithnjë e më shumë transaksione përmes aplikacioneve të bankave. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë dy muajve të parë të vitit janë realizuar rreth 1.6 milionë transaksione me home banking ose 22.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Me rritjen e numrit, edhe vlera e transaksioneve ka qenë më e lartë. Konkretisht, vlera e veprimeve me home banking është rritur me 21.2%. Rritja më e madhe në numër se në vlerë tregon që në janar-shkurt janë realizuar më shumë transaksione, por jo domosdoshmërisht edhe shuma e tyre ka qenë tepër e lartë. Konkretisht, vlera e veprimeve bankare përmes telefonit ka arritur në 414 milionë lekë.

Megjithatë, nëse bëjmë një krahasim midis janarit dhe shkurtit, vërejmë se numri i transaksioneve është rritur në shkurt, por shuma e pagesave është ulur. Pra vlerësuar me janarin, në shkurt janë kryer më shumë transaksione, por shumat e paguara përmes aplikacioneve bankare kanë qenë më të vogla.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në shkurt rezultojnë të jenë kryer 4% më shumë transaksione se në janar, ndërsa vlera e tyre ka qenë 10.5% më e vogël. E thënë ndryshe, numri i transaksioneve arriti në 822 mijë në shkurt, por ra në 195 milionë lekë.

Home banking, pra bankingu në shtëpi, i referohet kryerjes së transaksioneve nga shtëpia përmes aplikacioneve të bankave, për të kryer transferta parash, paguar taksat, faturat e energjisë elektrike, ujit, të telefonit, gjobat e policisë, pagesat e kartës së kreditit dhe të tjera, pa qenë nevoja e paraqitjes në degët fizike të bankave.

Realizimi i transfertave përmes aplikacioneve bankare në telefon kursen shumë më tepër kohë në vend të atyre që kryhen pranë degëve fizike të bankave. Transaksionet financiare shpesh mund të përfundojnë brenda pak minutash në shtëpi.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat