Shqipëria Postuar më 7 Mars 2026, 11:47

Bankingu digjital po transformon shërbimet financiare/ Qytetarët e bizneset gjithnjë e më shumë drejt kanaleve online

Nga Ledina Elezi

Bankingu digjital po transformon shërbimet financiare/ Qytetarët e

Përdorimi i shërbimeve bankare online po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri. Të dhënat e fundit tregojnë se qytetarët dhe bizneset po zgjedhin gjithnjë e më shpesh të kryejnë pagesa dhe transferta përmes telefonit apo kompjuterit, duke shmangur sportelet fizike të bankave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2025 janë kryer rreth 11.5 milionë transaksione përmes home banking, me një vlerë totale prej rreth 2.7 trilionë lekësh. Këto shifra tregojnë një zgjerim të mëtejshëm të përdorimit të kanaleve digjitale në sistemin bankar.

Krahasuar me vitin 2024, numri i transaksioneve është rritur ndjeshëm. Një vit më parë regjistroheshin rreth 9.3 milionë veprime, që do të thotë se brenda një viti janë shtuar mbi 2 milionë transaksione të reja të kryera online. Edhe vlera e tyre është rritur, duke reflektuar jo vetëm më shumë përdorues, por edhe përdorim më të shpeshtë të këtij shërbimi për pagesa me vlera më të mëdha.

Nëse shihet në një perspektivë më të gjerë kohore, rritja është edhe më e dukshme. Rreth një dekadë më parë, në vitin 2015, përmes home banking kryheshin vetëm rreth 1.4 milionë transaksione në vit. Sot kjo shifër është shumëfishuar, duke treguar transformimin që po kalon sistemi bankar drejt shërbimeve digjitale.

Gjatë vitit 2025, aktiviteti ka qenë relativisht i qëndrueshëm nga muaji në muaj. Në shumicën e rasteve janë regjistruar rreth 800 mijë deri në 1 milion transaksione në muaj, që tregon se përdorimi i home banking është bërë tashmë pjesë e përditshme e menaxhimit financiar për shumë qytetarë.

Kulmi i aktivitetit është regjistruar në muajin dhjetor, kur numri i transaksioneve ka kaluar 1.2 milionë, ndërsa vlera e tyre ka qenë ndër më të lartat e vitit. Ky trend lidhet zakonisht me rritjen e shpenzimeve gjatë festave të fundvitit, pagesat sezonale dhe transfertat e shumta që kryhen në këtë periudhë.

Kjo rritje e vazhdueshme lidhet me disa faktorë kryesorë. Nga njëra anë është zgjerimi i aplikacioneve bankare dhe përmirësimi i shërbimeve digjitale që ofrojnë bankat. Nga ana tjetër, përdorimi gjithnjë e më i madh i telefonave inteligjentë dhe internetit e bën më të lehtë kryerjen e pagesave në çdo moment, pa qenë nevoja të shkohet fizikisht në bankë.

Një faktor tjetër është edhe kursimi i kohës dhe komoditeti që ofrojnë këto shërbime. Pagesat e faturave, transfertat bankare apo menaxhimi i llogarisë mund të kryhen brenda pak minutash përmes aplikacioneve bankare, duke e bërë këtë formë gjithnjë e më të preferuar për përdoruesit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat